10 Qershor, 2024 - 9:35 am
Ngjarje madhore që vuri në binarët historik pavarësinë.
Nga Jusuf Buxhovi
Paqja e Shën Stefanit dhe realitetet e krijuara prej saj, të cilat më së shumti qëllonin Shqiptarët dhe interesat e tyre, shtruan nevojën për një veprim të përbashkët të të gjitha forcave shqiptare, pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve që kishin rreth të ardhmes së Perandorisë Osmane, në mënyrë që përfundimisht të faktorizoheshin në raport ndaj Perandorisë Osmane dhe karshi faktorit ndërkombëtar të vendosjes. Në këtë gjendje, Shqiptarët kishin përpara disa rrethana që mund t’u shkonin për shtati për t’u vu në veprim, meqë krahas osmanëve, Paqja e Shën Stefanit, kishte për kundështarë edhe fuqitë e mëdha europiane, pa përjashtim, të cilat ndonëse luftën ruse-osmane e përcollën me njëfarë indiferencë, me të shpejtë kërkuan që marrëveshja të anulohet në tërësi.
Në këto rrethana, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën Stefanit, ishte edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë tokësore të atdheut. Kështu, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore edhe për faktin se ajo ishte në përputhje edhe me qëndrimet e Perandorisë Osmane, e cila në këtë mënyrë ishte e interesuar që kongresin e ardhshëm europian, i cili do të mbahej në Berlin, ta shfrytëzonte sa më shumë për t’i riparuar dëmet e luftës dhe paqes me Rusët, por këtë herë me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha europiane, të cilat njëherësh, si kundërshtare të Rusisë dhe planeve të saj, shfaqeshin edhe si mbrojtëse të saj. Kjo gjendje, pra, duhej shfrytëzuar me të gjitha mjetet dhe me të madhe. Andaj, çfarëdo proteste dhe çfarëdo programi, qoftë ai edhe luftarak me moton e mbrojtjes së vatanit, siç shfaqej ai i Shqiptarëve, me ç’rast kuptimi i “vatanit” mund të shikohej edhe i atdheut, pra i etnisë, siç ishte rasti me mbrojtjen e katër vilajeteve shqiptare, identifikohej me atë të përgjithshmin, gjë që kjo i shkonte për shtati edhe Perandorisë Osmane. Për herë të parë nacionalizmi dhe osmanizmit shkonin bashkë, gjë që kjo ishte motivues.
Për t’i anashkaluar përçarjet mbi rrymat e ndryshme ( atyre që kërkonin mbrojtjen e tokave shqiptare por nën flamurin e Kalifatit, të atyre që kërkonin një vilajet të përbashkët shqiptar dhe të tjerëve që kërkonin njëfarë Shqipërie Osmane si kalimtare deri te pavarësia), Komiteti i Stambollit, vendosi që përpjekjet për thirrjen e një lidhjeje shqiptare t’i bëjë nën moton e kundërshtimit të Traktatit të Shën Stefanit, duke u shprehur se ishte e gatshme që jetësimi i tij të ndalej edhe me anën e luftës që do të bëhej me moton e mbrojtjes së vatanit nga copëtimi, në të cilën do të merrnin pjesë që të gjitha rrymat pa dallim. Kjo njëherësh ishte edhe porosi që i shkonte Kongresit të Berlinit, i cili duhej të mbahej së shpejti dhe ishte më se e qartë që për pikënisje do të kishte anulimin e Traktatit të Shën Stefanit. Në këtë frymë ishin edhe disa prononcime të liderëve të Komitetit të Stambollit në mediet europiane drejtuar opinionit europian por edhe fuqive të mëdha, siç ishte ai i Abdyl Frashërit në “Messagerde Vienne”. Frashëri argumentonte të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar me arsyetimin se nuk kërkon tjetër veçse të jetojë i liri, të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të qytetëruara të Europës.
Meqë koha po afronte dhe duhej dalë me një formë organizative para se të fillonte Kongresi i Berlinit, në mënyrë që Fuqive të Mëdha Europiane t’u tregohej se çfarë kërkonin në të vërtetë Shqiptarët dhe cilat ishin pozicionet e tyre politike, Komiteti i Stambollit, mori vendimin për t’u thirrur Kuvendi i Lidhjes. Bëhet e ditur se nga fundi majit, në Stamboll u zhvillua një takim i personaliteve më të dëgjuara të jetës politike nga vilajeti i Kosovës dhe ai i Shkodrës (Iliaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Ymer Prizrenin, Ahmet Korenicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafë Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe të tjerë, e ku merrte pjesë edhe Abdyl Frashëri, Mehmet Ali Vrioni, si përfaqësues i Komitetit të Stambollit dhe deputetë në parlamentin osman) me përfaqësuesit e lartë të pushtetit osman. Në këtë takim u tha se shqiptarët ranë në ujdi për një reagim të fuqishëm në mbrojtje të trojeve të rrezikuara”.
Andaj, jo rastësisht si vend u caktua Prizreni. Sepse, Vilajeti i Kosovës, si pjesë ku prekej drejtpërdrejt nga copëtimet serbo-malaziase, prej kohësh ishte kthyer në një qendër të protestave të mëdha të të gjitha shtresave: nga ato feudale, të moderuara dhe të klerikëve, me ç’rast prej të gjithëve ishte pranuar formula e “mbrojtes së vatanit”, që nënkuptonte mbrojtjen e atdheut dhe mbrojtjen e Perandorisë njëherësh.
Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni dhe Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Korenica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare Ali bej Gucia (më vonë Ali pashë Gucia), feudal vendor dhe kundërshtar i madh i Tanzimatit.
Kuvendi i Lidhjes u hap më 10 qershor 1878 në Prizren, në metresën e Mehmet Pashës, pranë Bajrak-Xhamisë. Edhe data e mbajtjes nuk ishte e rastësishme, meqë ajo duhej të mbahej para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit që ishte caktuar të mbahej më 13 qershor. Nga të dhënat e tanishme, të cilat janë të pakta, meqë është ruajtur vetëm një pjesë e protokolleve të mirëfillta të mbledhjes, merret vesh se në Kuvend kanë marrë pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të shumë krahinave shqiptare, por ku mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës (nisja e të cilave thuhet se ishte penguar nga intrigat e valiut turk Hysen Pasha, por që arsyet janë pak më të thella). Ndërsa nga Vilajeti i Janinës mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Megjithatë, nga këta 110 emra që gjenden dhe shumica vinë nga Vilajeti i Kosovës, kryesisht janë personalitete që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ndër të cilët shquhen Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Korenica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, SulejmanVokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Në kuvend morën pjesë si delegatë disa feudalë boshnjakë dhe sulltanistë nga viset e Bosnjës-Hercegovinës. Aty mori pjesë edhe mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu bashkë me disa përkrahës së linjës sulltaniste, që bazuar në raportet e konsujve të pranishëm në Prizren, ishte mjaft aktiv. Kjo demanton pohimet se Lidhja u mbajt “fshehtë” dhe pa dijen e Portës.
Në bazë të dokumenteve me mangësi të shumta, megjithatë, kuptohet se Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz pashë Dibra, ndërsa aty foli Abdyl Frashëri, jo në cilësinë e “kryetarit” e as “të kryesuesit” të Lidhjes, siç është shënuar nga një pjesë e mirë e historiografëve Shqiptarë, por si përfaqësues i Komitetit të Stambollit, paçka se nga disa burime mohohet fare pjesëmarrja e tij në Kuvend.
Madje edhe nga ajo pjesë e ruajtur e asaj që kishte folur Abdyl Frashëri, siç ishte se “qëllimi i Kuvendit ishte që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” , më shumë paraqet një thirrje patriotike se sa që shfaqej program politik. Atmosfera patriotike, jashtë ndonjë programi politik, bëhet e ditur sipas burimeve të konsujve të huaja nga Kuvendi, me ç’rast thuhet se kjo atmosferë manifestohej pa dallim se nga cili “krah” vine ajo.
Ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me faktin se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfshirë në Kuvendin e Prizrenit.
Kuvendi themeloi edhe organet e larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iliaz pashë Dibra. U formua edhe Komiteti Qendror i Lidhjes i përbërë nga tri komisione: komisioni i punëve të jashtme me përgjegjës Abdyl Frashërin, komisioni i punëve të brendshme i drejtuar nga Haxhi Shabani dhe komisioni i të ardhurave financiare i drejtuar nga SuljemanVokshi.
Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).
Kararnameja (Akti themelor) kishte gjashtëmbëdhjetë pikë, me të cilin mund thuhej se sanksionohej formimi i Lidhjes si organizatë politike (pika 16) dhe përcaktonte detyrat e saj më të ngutshme. Në pikën 1 theksohej karakteri mbrojtës, ndaj çdo qeverie, përveç asaj të Portës së Lartë, të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet për të mbrojtur integritetin evendit.
Në nenin 4 kur thuhet se “me ligjet e lara të sheriatit, ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë të besimit jomysliman, ashtu si për vete”, bën të ditur për ruajtjen e karakterit islamik, gjë që si formulim në ato rrethana ishte edhe i pashmangshëm.
Në të vërtetë, frymën kombëtare nga e cila ishte e privuar më 10 qershor ditën e hapjes së Kuvendit dhe veçmas nga kërkesat për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, që ishte një formë e autonomisë, me të cilën sigurohej mbrojta e vendit nga copëtimet e mëtutjeshme që kërcënonin nga të gjitha anët, Lidhja filloi ta animojë qysh në Kuvendin e Përgjithshëm, në Prizren, më 1 korrik 1878.
E kompletuar me 96 delegatë nga Kosova dhe me delegatët nga Shkodra (26 sish) dhe Vilajeti i Janinës (me 20), pas një diskutimi të gjerë, Kuvendi miratoi një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapat e rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes. Sepse, Kanuni i ri, e shpalli botërisht organizatën e themeluar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin i saj qendror e quajti Komiteti Kombëtar.
Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishte pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare shqiptare dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ajo i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nën-komitete të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare, me çka mund të thuhet se Lidhja kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie.
Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon një fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman.
(Shkëputje nga libri “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878”, botoi “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifa Publishing” – Houston, 2012)./KultPlus.com