15 Dhjetor, 2022 - 4:00 pm
Një partneritet mes TKOB së Tiranës dhe Konservatorit Shtetëror të Muzikës “Giuseppe Martucci” të Salernos, ka sjellë në Teatrin e Operas studentë italianë të cilët do të kenë mundësinë të shkëmbejnë njohuri e praktika me muzikantë të rinj shqiptarë.
“Studentët e Konservatorit të Salernos, do të gjallërojnë akoma më shumë Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, përgjatë 1 muaji, me talentin e tyre në oboe, perkusione, harp, korno, etj”, është shprehur drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina. Për këtë eksperiencë janë përzgjedhur 15 studentë të talentuar italianë.
Partneritete të tilla si kjo me Konservatorin “Giuseppe Martucci”, kanë në fokus shkëmbimin e praktikave më të mira ndërkombëtare mes brezit të të rinjve artistë dhe zhvillimin e talenteve dhe përsosmërisë artistike, nëpërmjet trajnimit dhe njohjes së trashëgimisë artistike muzikore, klasike dhe lirike.
Kjo e bën Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, një platformë kulturore gjithëpërfshirëse që promovon identitetin kulturor, përtej kufijve./atsh/ KultPlus.com