21 Janar, 2021 - 1:22 pm
Më 21 janar të vitit 2006 kishte ndërruar jetë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, pasi kishte vuajtur për disa muaj nga sëmundja e kancerit që i kishte prekur mushkëritë.
Vdekja e Rugovës mbetet ndër humbjet më të mëdha që ka përjetuar populli i Kosovës, sepse një personalitet si Rugova vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm për shumë njerëz.
Me 23 janar të 2006-tës, funerali me trupin e Presidentit Rugova ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë të shumtë kishin mundësinë që t’i bënin nderime e t’i jepnin lamtumirën e fundit Rugovës.
Qindra mijëra qytetarë kanë qëndruar me orë të tëra në radhë për t’i bërë nderime Rugovës në hollin e Kuvendit, kjo edhe përkundër acarit të madh që kishte përfshirë Kosovën ato ditë.
Kamerat kishin intervistuar disa nga qytetarët, ku këta të fundit me lot në sy kanë folur para kamerave duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e Ibrahim Rugovës.
Një ndër qytetarët, duke ju dridhur zëri e me lot në sy shprehet: Ky është një moment mjaft i rëndë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi sepse e humbën arkitektin e Pavarësisë së Kosovës. Ai është i pari që e nisi opsionin e pavarësisë dhe e mbrojti deri në vdekje.”
Një tjetër qytetarë, e shihte ish- presidentin sit ë pazëvendësueshëm: Ndihemi shumë të pikëlluar, është një humbje e madhe për gjithë popullin shqiptar, kudo që është. Vështirë është të zëvendësohet një president si Rugova.
Ndërsa, një i moshuar, teksa flet me plot dhimbje për këtë humbje, ai ndër të tjera shprehet: Rugovën e kemi pas zotë shtëpie dhe e kemi pas baba. Bota na ka njohur me të. Kosovën se ka njoft kush veç Brahimi na ka tfillue. Duhet natë e ditë me kajt për të se ky u konë baba jonë, na e ka dhon drejtësinë, e ka ditë çka kena hjek.
Këto deklarata po i përcjellim edhe përmes një video (nga min. 10:00) ku ndër të tjera shfaqen edhe pamje nga homazhet dhe varrimi i Rugovës.
Ceremonia e varrimit të Presidentit Rugova ishte bërë të enjten e 26 janarit.
Në ceremoninë e varrimit të Rugovës kanë marrë pjesë shumë delegacione botërore si, delegacioni i ShBA-së, delegacioni i Bashkimit Evropian, delegacioni nga zyra e UNOSEK-ut, delegacione nga Austria, Britani, Belgjika, Shqipëria, Gjermani, Spanja, France, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Greqia dhe disa vende afrikane. / KultPlus.com