20 Nëntor, 2022 - 9:06 am
Sot kujtojmë 156 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, një prej poetëve dhe veprimtarëve më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe letërsisë shqipe.
Gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike të Mjedës ka qenë Italia, Spanja dhe Polonia. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje, Shkodër.
Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, përmes të cilit ata ankoheshin kundër pushtetit osman.
Poeti ngriti zanin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do t’i kushtonte lirinë. Më 1902 Ndre Mjeda, arrestohet, por i shpëton një syrgjynosjeje në Anadoll, një kapërcyell i jetës së tij që e himnizon me poemthin “I tretuni”.
Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift në famullinë e Kukël.
Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit” u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai i ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfunduar.
Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe u nda nga jeta më 1 gusht 1937. / KultPlus.com