29 Nëntor, 2022 - 2:30 pm
Theodor Anton Ippen lindi më 1861, në krahinën e Bohemisë, asokohe pjesë e perandorisë austro-hungareze. Pasi kreu studimet e mesme në Pragë, u regjistrua në Akademinë Orientaliste të Vjenës, ku u diplomua më 1884. Po në këtë vit emërohet në konsullatën e Austro-Hungarisë në Shkodër.
Ai ka qenë për shtatë vjet me radhë konsull i përgjithshëm i monarkisë austro-hungareze në Shkodër (1897-1904) dhe është autor i një radhë studimesh e librash për historinë, etnografinë, arkeologjinë dhe shoqërinë shqiptare.
Vepra e tij shkencore është përqendruar thuajse e tëra mbi Shqipërinë. Studimet e Theodor Ippen-it kanë hedhur dritë në shumë aspekte të jetës fisnore të Shqipërisë së Veriut, të historisë së Lidhjes së Prizrenit etj., duke hyrë kështu në radhën e shkëlqyer të albanologëve austro-hungarezë, që fillon me Johann Georg von Hahn e vijon me Gustav Meyer, etj. /KultPlus.com