15 Gusht, 2024 - 1:37 pm
Më 15 gusht 1860 lindi Kolë Arsen Idromeno, në një familje të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubit, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë.
Në moshën 16-vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha.
U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj. Njihet edhe si pionier i pikturës shqiptare duke krijuar një sërë veprash të rëndësishme për historinë e saj.
Më 1884 është i dyti që hap studion e tij fotografike të quajtur “Dritëshkroja e Kolës”. Më 1912 shfaq për herë të parë në Shkodër e Shqipëri një film pas një kontrate të nënshkruar me agjensinë austriake të filmit “Stauber”. Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”.
“Kolë Idromeno Artisti që me talentin e tij të jashtëzakonshëm i dha jetë artit shqiptar, duke lënë pas ikona të artit, në mes tyre “Motra Tone”, Xhokonda shqiptare”, shkroi sot ministri Gonxhja në kujtim të Idromenos.
Ndërkohë Muzeu “Marubi” është duke përgatitur ekspozitën “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar” e kuruar nga Luçjan Bedeni. Ekspozita vjen në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Muzeu Marubi dhe Instituti i Antropologjisë për digjitalizimin, restaurimin, konservimi dhe ekspozimin e koleksioneve dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com