28 Dhjetor, 2023 - 4:59 pm
Më 28 dhjetor 1856 lindi Thomas Udru Uillson (Thomas Woodrow Wilson), presidenti i njëzet e tetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Udru Uillson ishte anëtar i Partisë Demokratike të SHBA-ve dhe, përpara zgjedhjes në postin e presidentit, pati shërbyer si president i Universitetit të Prinstonit dhe si guvernator i shtetit të Nju Xhersit.
Më 1913 fitoi mandatin e parë të presidentit, të cilin e pasoi një i dytë. U largua nga detyra e presidentit më 1921. Në politikën amerikane të kohës Presidenti Uillson njihet si liberal dhe reformator, duke sjellë zhvillime pozitive në politikat e brendshme të vendit. Kurse në politikën ndërkombëtare, Uillsoni njihet si njëri prej politikanëve më të vendosur në dobi të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Konferencën e Paqes në Paris, si dhe propozuesi dhe hartuesi i projektit të Konventës së Lidhjes së Kombeve. Për shqiptarët figura e Presidentit Uillson lidhet mirëfilli me njohjen ndërkombëtare të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe të integritetit territorial të Shqipërisë.
Fjalët e tij “Albania ought to be independent”
(“Shqipëria duhet të jetë e pavarur”) ishin thelbësore në njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Mes dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror që lidhen me figurën e Presidentit Uillson veçojmë një letër të disa studentëve shqiptarë në Vjenë, të cilët kërkojnë mbështetjen e Presidentit në dobi të Shqipërisë. Letra mbyllet me këto fjalë:
“Zotërië President!
Në qoftë se në vendimin e paqës nji komb lihet i pa njojtun edhe do të përdoret kaq pa-drejtësisht, a mundet kurrë n’atë anë të botës të sigurohet paqa? Shqipnia, sikundër Konferenca e Londonit e kufizoj, kurrë s’mundei të rronte, kishte farën e vdekjes në gjakun e saj që në lindien e vetë. Me këtë mënyrë, Zotërie, deri tash bota na ka përdorurar mizorisht, prandaj ngremë zërin tonë tek Ju, si mbrojtësi i njerëzimit, duke e ditur sigur se marria pjesë e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqien të drejtë e të ndershme të Zotërisë s’Uaj në Kongresin e Paqës, drejtësia do të përmbushet dhe shqiptarët duke pasur të drejtën e vetvotimit për formën e qeverimit të tyre do të kenë lejen, si një komb i lirë, të hyjn në Lidhien e Kombëve.
Në emër të studentëve shqiptarë në Wien, të përvujtunit, Jan Basho, Remzi Baçe, H. Hifzi, Nush Bushati, Djevat Korça, Luigj Kakariqi, Gjovalin Gjiadri, Raku Buda, Fuad Aslan.
Wien, Austrie, 15/12/918“.
Fotografitë: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave / KultPlus.com