28 Maj, 2021 - 4:20 pm
Akademia e Shkencave ka zhvilluar sot mbledhjen për ndarjen e diplomave 17 anëtarëve të rinj të jashtëm të Akademisë, që e kanë fituar këtë titull gjatë vitit të kaluar e sivjet.
17 personalitet e jashtme të pranuar sot në Akademinë e Shkencave janë: Ermonela Jaho, Elton Prifti, Sokrat Sinaj, Fioralba Cakoni, Bardhyl Demiraj, Bajram Berisha, Mira Mezini, Ardian Ndreca, Ardian Vehbiu, Kujtim Shala, Eno Koço, Fetah Podvorica, Ali Aliu, Luan Starova, Matteo Mandalà, Francesco Altimari dhe Rexhep Ismajli.
Kryetari i Akademisë e të Asamblesë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “është nder për mua që, në emër të Akademisë së Shkencave e të Kryesisë së saj, t’i uroj mirëseardhjen kësaj audience të zgjedhur, në sallën që mban emrin e kryetarit historik të saj, shkencëtarit të njohur prof. Aleks Budës. Prirë prej tij, një plejadë dijetarësh, një plejadë nga më të shquarit që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, ku bënin pjesë edhe Çabej, Radovicka, Domi, Shuteriqi, Kostallari, Pilika, hodhi themelet e shkencës shqiptare, duke e ngritur atë në nivele të krahasueshme me ato të kohës, duke e vendosur madje në krye, me një rol përcaktues, për sa u takon shkencave albanologjike”.
“Janë kjo veprimtari e trashëgimi e vyer që treguan domosdoshmërinë dhe efikasitetin e ngritjes e të funksionimit të një Akademie të Shkencave në Shqipëri. Ky kontribut e kjo përvojë treguan se investimi për shkencën është më i frytshmi e me efektivi për të ardhmen, se investimi për shkencën duhet të jetë parësor në çdo kohë e periudhë, madje edhe atëherë kur luftohej ende analfabetizmi. Kjo trashëgimi lehtësoi rrugën për ecurinë e mëtejshme të Akademisë e të shkencës shqiptare në vendin tonë, por ndërkohë ajo rriti përgjegjësinë për pasurimin e çuarjen më tej të saj, duke e vështirësuar konkurrencën me vetveten, pasi në çdo kohë performanca jonë do të krahasohet me këtë trashëgimi. Aq më tepër kur prirja është që e shkuara të idealizohet ndërsa e tashmja të anatemohet, tendencë kjo më e theksuar në periudha tranzitore, gjatë të cilave debatin nuk e dominojnë opinionet e specialistëve, por specialistët e opinioneve. Në këto kushte, krahas nevojës për reformim të gjithë sistemit të arsimit të lartë e të atij të kërkimit shkencor, e ndërlidhur kjo me nevojën e vendosjes së zhvillimit ekonomik mbi dije e teknologji të reja shkencore, prej vitesh edhe para Akademisë së Shkencave shtrohej nevoja e reformimit të saj”, tha ai.
Në vijim, Gjinushi tha se “pas shumë debatesh e iniciativash, dy vjet më parë reformimi i Akademisë së Shkencave mori formë ligjore, dhe sot, në përmbyllje të realizimit të fazës së pare së ristrukturimit, është thirrur kjo mbledhje ceremoniale e Asamblesë, për të nderuar e kurorëzuar një prej elementeve kryesorë të reformës: pranimin si anëtarë të Akademisë me statusin e anëtarit të jashtëm të 17 shkencëtarëve e studiuesve ndër shqiptarët më të suksesshëm në fushën e shkencës e të dijes në Kosovë, në komunitetin arbëresh, në Maqedoninë e Veriut dhe kudo tjetër në Botë: në Shtetet e Bashkuara, në Gjermani, Itali e Austri”.
“Statusi i anëtarit të jashtëm është një status i ri, i parashikuar për të realizuar një nga qëllimet kryesore të reformës: hapjen e saj ndaj studiuesve, kërkuesve e krijuesve që e ushtrojnë veprimtarinë jashtë vendit, të cilët përfaqësojnë një potencial të madh intelektual, gjithnjë në rritje. Një hapje e veçantë bëhet ndaj akademive të ngjashme, që janë anëtare të ALLEA-s, e posaçërisht ndaj kolegëve tanë në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Ky pasurim i Akademisë së Shkencave është kryer krahas rifreskimit të saj të brendshëm me anëtarë të rinj të Asamblesë në bazë të hapësirave e kritereve të reja ligjore. Kështu, gjatë kësaj faze janë pranuar e janë në proces 13 anëtarë të rinj.E rëndësishme është të theksojmë se pranimet e reja janë cilësore e të nivelit të kolegëve të tyre në rajon e Europë, duke përcjellë te brezat e rinj mesazhin se edhe në Shqipëri të aftët mund të jenë po aq të suksesshëm. Gjej rastin të falënderoj institucionet e arsimit të lartë, institutet e njësitë e tyre përbërëse për bashkëpunimin e treguar gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj, si dhe për faktin që kanë formuar e kanë në gjirin e tyre profesorë që e meritojnë titullin akademik. Statuti i ri mundëson një përfaqësim më të mirë të gjinisë më pak të përfaqësuar pa cënuar cilësinë e kandidateve femra, por duke parandaluar ndonjë aleancë – produkt të mentalitetit burrëror; si dhe një hapje ndaj krijuesve e interpretuesve në fushën e letërsisë, artit e kulturës, duke i përforcuar kështu Akademisë edhe këtë komponente të rëndësishme të krijimtarisë kulturore.Hapja e Akademisë së Shkencave ndaj institucioneve të tjera të shkencës e arsimit; funksionimi e ndërveprimi i tyre si pjesë e të njëjtit sistem, sidomos me institucionet e arsimit të lartë, janë jetike për ne dhe për vetë ardhmërinë e shkencës shqiptare. Për këtë arsye ligji i ri mundëson e rregullon ngritjen e funksionimin pranë Akademisë së Shkencave, krahas seksioneve, edhe të komisioneve të përhershme në fushat kryesore të dijes, me përbërje në shumicë nga profesorati e personeli akademik i shkollave të larta e qendrave kryesore të kërkimit. Konkretisht, në to sot bëjnë pjesë 132 anëtarë dhe vetëm 47 janë anëtarë të kësaj Asambleje”, tha ai.
Po ashtu, Gjinushi shtoi se “kjo hapje ndaj komunitetit e mjedisit shkencor i jep Akademisë së Shkencave mundësinë të luajë rolin e qendrës kryesore të debatimit e përpunimit të mendimit shkencor për çdo çështje a problem me rëndësi që shtrohet para shoqërisë e shkencës shqiptare. Përvoja e derimëtanishme ka treguar efektshmërinë e vlerën e këtyre strukturave, ku kontributi i anëtarëve të jashtëm është për t’u përshëndetur.
“Një nga risitë e reformës është dhe parashikimi për ngritjen e funksionimin pranë Akademisë së Shkencave të njësive të kërkim- studimit, të përkohshme a të përhershme, me bindjen se ajo nuk mund ta kryejë misionin e saj pa pasur një rol aktiv në kërkimin shkencor. Shqipëria nuk ka luksin për të patur një akademi shkencash thjesht honorifike. Këto struktura u parashikuan në ligjin e ri, duke shmangur debatin shterp e krejt formal për një akademi me apo pa institute. Aktualisht pranë Akademisë së Shkencave ushtrojne aktivitetin katër njësi të tilla në fushat e shkencave natyrore-teknike dhe një qendër e botimeve enciklopedike e albanologjike në shkencat shoqërore. Ecuria e derimëtanishme e njësive të gjeo-sizmologjisë, nanoteknologjisë, bio-gjenetikës dhe inteligjencës artificiale është pa dyshim një përvojë e parë suksesi. Njësitë e reja tregojnë domosdoshmërinë e strukturave lidhëse midis Akademisë së Shkencave dhe qendrave kërkimore të shkollave të larta. Pranë tyre tashmë bashkëveprojnë mbi 70 njësi e grupe që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut; nëpërmjet tyre u mundësua që Akademia të jetë aktive edhe në ndjekjen e çështjeve akute si ato të shkaktuara nga tërmeti e virusi Covid-19, por mbi të gjitha këto njësi tashmë janë të gatshme të japin rekomandimet përkatëse për të ristrukturuar kërkimin në të ardhmen e afërt. Nëpërmjet tyre është vënë në pah fakti se edhe në ato fusha që konsiderohen si fushat e së ardhmes, tek ne e në mjedisin shqiptar ka një sërë kërkuesish të suksesshëm, të cilët duhen mbështetur e stimuluar më shumë, një realitet ky që përforcon sërishmi mesazhin se i afti e i përkushtuari ka të ardhme edhe në Shqipëri”, tha Gjinushi.
Ai shtoi se “zhvillimi e konsolidimi i shkencave albanologjike përbën detyrën e misionin sui generis të Akademisë së Shkencave edhe sipas ligjit të ri. Ngritja e qendrës për botimin e tri veprave madhore në albanologji siç janë: Enciklopedia Shqiptare, Fjalori i madh i shqipes, Historia e shqiptarëve përbën pa dyshim efektin më të rëndësishëm të reformës për Akademinë e Shkencave, duke i dhënë asaj përgjegjësinë për të qenë ideatorja, organizatorja e realizuesja e botimeve madhore në albanologji. Kështu, duke huazuar një thënie të Çabejt, i cili në përmbyllje të konsolidimit të studimeve albanologjike të kryera tek ne deklaronte se tashmë albanologjia u kthye në shtëpinë e vet, ne do të thonim se tani këto vepra madhore u kthyen në shtëpinë e vet, tek Akademia e Shkencave. Ky krahasim ka shumë domethënie, pasi në çdo kohë botime të tilla kanë qenë produkt i përbashkët i Akademisë së Shkencave, instituteve e shkollave të larta, dhe të tilla do të jenë edhe në të ardhmen. E reja është rivendosja e Akademisë, në pozicionin e duhur, marrja prej saj e përgjegjësisë kryesore në zhvillimin perspektiv të albanologjisë”.
“Akademia e Shkencave, sipas traditës tashmë të konsoliduar, ka një protokoll bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës; ka lidhur e është në proces të lidhjes së marrëveshjeve përkatëse me tërë shkollat e larta publike të vendit, duke filluar me UT, UPT, UB, UM e duke vijuar me universitetet e Korçës, Vlorës e Gjirokastrës, së afërmi edhe me ato të Shkodrës, Elbasanit e Durrësit, si dhe me disa universitete jopublike. Bashkëpunimi me to do të kulmojë këtë vit me mbajtjen e kuvendit të albanologjisë, që do të organizohet në nëntor, pas dhjetëra veprimtarish të tjera të përbashkëta”, tha ai.
“Reforma jonë do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin e mirëkuptimin me instancat politikëbërëse e vendimmarrëse: me Qeverinë, komisionin kuvendor përkatës dhe me vetë Kuvendin. Mirëkuptimi i parë e përcaktues në ecurinë e saj ishte pranimi i faktit se reforma duhej të ishte produkt i vetë Akademisë. Ishte ky mirëkuptim që vendosi ekuilibret e duhur midis Akademisë së Shkencave, si hartuese e propozuese e reformës, dhe Qeverisë e Kuvendit, si garantë të respektimit prej saj të normave e vizionit të kërkuar. Është rasti të falënderojmë edhe një herë këtu Kryeministrin e Kuvendin për këtë ndihmë e mbështetje. Reforma e re vendos një raport të vijueshëm komunikimi të domosdoshëm midis Akademisë dhe Qeverisë e Kuvendit, në saje të të cilit është arritur mbështetja e derimëtanishme sidomos per tre projektet madhore të albanologjisë. Gatishmëria e ekzekutivit për të mbështetur fazën e mëtejeshme të reformës së Akademisë së Shkencave dhe të shkencës shqiptare në tërësi, që ka në thelb ristrukturimin e kërkimit shkencor nëpërmjet ngritjes së qendrave të reja elitare të kërkimit, me përparësi në fushat e mbiquajtura të së ardhmes, si dhe nëpërmjet riorganizimit të qendrave ekzistuese në fushat e tjera me ndikim kombëtar, me kusht që propozimet tona, të jenë plotësisht të argumentuara, janë një garanci për suksesin e saj, me bindjen se çdo investim nëpërmjet Akademisë së Shkencave është investim i drejtpërdrejtë për shkencën e institucionet shkencore në tërësi, për gjithë kontribuesit e saj”, tha në fund Gjinushi. /atsh/ KultPlus.com