26 Mars, 2022 - 2:15 pm
Melihate Ajeti lindi më 9 tetor 1935 në Prishtinë; vdiq më 26 mars 2005 në Prishtinë. Semimaturën e kreu në Prishtinë. Vijoi shkollën e aktrimit në Prishtinë dhe bëri një specializim në Paris (Comedia Française). Aktorja numër një e teatrit Prishtinas. E nisi aktrimin si 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin, bukurinë e kapacitetin e madh prej aktoreje: Zullumqari, Vajza pa pajë, Zonja me kamelie, Besa, Sikur të isha djalë, Halili e Hajrija, Erveheja, Hanka, Hamleti, Shtetrrethimi, Othello, Ana Karenina, Vdekja e një mbretëreshe, Svinga e Gjallë, Magbethi, Antigona, etj.
La gjurmë të pashlyera edhe në kinematografin Kosovare e Jugosllave: Uka i Bjeshkëve të nemuna, Buka, Zonja me kamelie, Etja, Trimi, Lepuri me 5 këmbë, Era e Lisi, Erveheja, Kur Pranvera vonohet, Të ngujuarit, E shtëna në ajër, Othello, Përroi vërshues, Migjeni, Gjurmët e bardha, Magbethi, Dorotej, etj.
Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic (1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol femre në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.
Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti, nga femrat tona e para e më të merituara – Doajenja e Teatrit Kombëtar të Kosovës – Primadona e skenës shqiptare.