11 Mars, 2025 - 1:12 pm
Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” në këto ditë marsi u vizitua nga alpinistë dhe turistë të të apasionuar pas ngjitjeve në mal.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga ngjitja në Alpe e një grupi të madh alpinistësh.
“179 alpinistë nga gjithë Shqipëria eksploruan “Parkun Kombëtar të Alpeve”, një përvojë unike e turizmit malor mes peizazheve të mrekullueshme, nismë e Federatës Shqiptare të Alpinizmit, të cilës iu bashkuan edhe turistë të pasionuar pas natyrës”, tha Kumbaro.
Në këtë ekspeditë 179 alpinistë nga 16 ekipe të vendit tonë u ngjitën në majën më të lartë të Qafë Thores, Mark Zagora apo siç njihen ndryshe si binjaket e Thethit, në lartësinë 2313 metra mbi nivelin e detit, duke sfiduar kështu vështirësitë dhe rreziqet që shoqërojnë stinën e dimrit në këto zona.
Ky aktivitet është një mundësi për të promovuar bukuritë dhe vlerat turistike të Alpeve.
Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, tërheq çdo vit të apasionuarit pas ngjitjeve në mal./atsh/KultPlus.com