3 Shtator, 2023 - 9:00 am
Një ditë më parë nisi viti i ri shkollor në Kosovë, por në 18 shkolla ende nuk ka proces të rregullt mësimor, pasi në objektet e tyre janë duke u kryer renovime.
Në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në kryeqytet, nga korriku i këtij viti, një pjesë e saj është në renovim. Por për shkak të punimeve, drejtoria e shkollës ka modifikuar planin për ndërrimet dhe kohëzgjatjen e orëve.
“I kemi ngjesh ndërrimet, prej 2 ndërrimeve i kemi bërë 3 ndërrime për shkak të përdorimit të vetëm disa klasëve. Por në krahasim me përfitimet e renovimit, sigurisht që kjo pengesë menaxhohet disi dhe nuk kemi lejuar ta zhvendosim fillimin e procesit mësimor”, ka theksuar për RTK-në Supije Zhitija, drejtoreshë e kësaj shkolle.
Renovime ka edhe në shkollën “Pavarësia”. Punimet filluan me vonesë, pasi edhe viti mësimor ka përfunduar më vonë.
“Deri në korrik kemi qenë me obligime, me mësim shtesë e plotësues, e me riprovime, pastaj nuk ka mbetur shumë kohë diku rreth 1 muaj për punime të çfardo natyre. Janë duke u kryer disa punime ende e që janë duke përfunduar, p.sh. renovimi total i disa toaleteve, pastaj do të bëhet edhe ndërrimi i dyerve, por kjo nuk është pengesë për zhvillimin e procesit mësimor. Pra, ka pasur investime të theksuara që e ndihmojnë shumë përmisimin e gjendjes së infrastrukturës në shkollë”, ka theksuar Shefki Rusinovci, drejtor i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se janë 5 shkolla të Prishtinës në renovim të thellë, ndërsa janë rinovuar 22 të tjera. Por ajo deklaron se renovimet nuk e pengojnë procesin mësimor.
“Ka arsye të ndryshme sepse të gjitha janë në kontrata të ndryshme, p.sh. shkolla “Dardania” është me financim të BE-së dhe renovimi përfshihet që të zgjasë gati deri në një vit, pra po flasim për një renovim shumë të thellë. Në shkollat “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Fishta” punimet kanë filluar menjëherë pas përfundimit të mësimit, por që renovimet janë tepër të thella dhe strukturore. Pra, janë shkolla shumë të vjetra në të cilat nuk mund të kryhen renovimet brenda 1 muaj e gjysmë, aq sa kemi pasur në dispozicion. Ndërsa për shkollën “Gjin Gazulli” ka qenë me buxhet të bartjes. Derisa Ministria e Finacave na ka alokuar mjetet nuk kemi mund të fillojmë me projektin. Pra, secila shkollë i ka specifikat e veta dhe ka pasir kontrata e ndryshme”, është shprehur Musmurati.
Mirëpo nga Këshilli i Prindërve të Kosovës thonë se këto punime është dashur të përfundojnë me kohë.
“Sa i përket përmirësimit të infrastrukturës së objekteve shkollore renovimet janë të domosdoshme. Kjo për arsyen që fëmijët të kenë qasje më të lehtë dhe më të mirë në zhvillimin e edukativo arsimor. Por ky proces është dashur të përfundojë moti, pasi ata që pësojnë në këtë proces janë fëmijët”, tha Teuta Emini, nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Ministria e Arsimit njoftoi se procesi edukativo-arsimor nisi të premten në 658 institucione arsimore. Në 18 shkolla mësimi nuk ka filluar, pasi ato janë në renovim, e ku pritet që në shumicën e tyre rinovimi të përfundojë me 4 shtator. Sa u përket librave, Ministria njoftoi se deri më tani për subvencionim kanë pranuar gjithsej 133.500 aplikime, teksa aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator. / KultPlus.com