27 Shtator, 2023 - 9:03 am
Tirana përjetoi këtë vit dyfishim të shifrave të turistëve, shifër që pritej pasi rrugët dhe atraksionet e kryeqytetit kanë qenë dukshëm të mbushura me vizitorë të huaj.
Shifrën e bëri të ditur në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare drejtoresha e Turizmit në bashkinë e Tiranës, Ketrina Jarazi, e cila theksoi se përveç dyfishimit të numrit të turistëve, është dyfishuar dhe kohëzgjatja e netëqëndrimit në Tiranë.
“Referuar statistikave të Infopoint-it pranë bashkisë së Tiranës, në vitin 2023 numri i turistëve të ardhur pranë sporteleve për të kërkuar informacion gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht 2023 është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe është rritur me 181% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021”, theksoi Jarazi.
“Koha e qëndrimit të turisteve gjatë vitit 2023 është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar duke u rritur 4 deri 7 netëqëndrimi në Tiranë”, bëri të ditur ajo.
Sa i takon origjinës së turistëve, Jarazi tha se “vendin e parë e zënë turistët evropianë: italianë, spanjollë, francezë dhe gjermanë. Por ka pasur rritje dhe nga vendet e tjera si nga SHBA, Australia dhe Azia”.
Atraksionet për të cilat është shfaqur interes lidhen kryesisht me sitet historike, kulturore dhe artistike.
Tirana ofron atraksione që nga Lashtësia, Mesjeta, periudha e Luftës, periudha komuniste e deri në ditët tona me veprat e artit publik të ngritura së fundmi.
“Në kryeqytet të gjitha atraksionet vizitohen nga turistët që vijnë në kryeqytet sidomos ato të qendrës siç janë: Kalaja e Tiranës, Ura e Tabakëve, Pazari i Ri, Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut, Piramida – qendra me e re e teknologjisë në Ballkan, Muzeu “Shtëpia me Gjethe”, Muzeu Historik, Shtëpia Studio Kadare, BunkArt 1 dhe 2, që janë mjaft të kërkuara nga vizitorët e huaj, Sheshi ‘Skënderbe’, Memoriali Post Bllok, Shtëpia e Sali Shijakut, Galeria e Artit të Tiranës, etj.”, u shpreh Jarazi./ATSH/KultPlus.com