26 Gusht, 2021 - 8:40 pm
Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit po nxjerr në dritë thesaret e lëna në harresë.
Në këtë laborator restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat janë duke punuar mbi dy ikona: “Shën Joan Pagëzorit në këmbë” dhe ” Shën e Premtja me 4 shenjtorët”.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, Eugen Kallfani tha për ATSH-në se “vijon procesi i restaurimit ku ngadalë ngadalë dalin në drite thesare të trashëgimisë sonë kulturore”.
“DRTK me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtarë të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë është duke restauruar ikonat e “Shën Joan Pagëzorit në këmbë ” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët”, – theksoi Kallfani.
Kallfani i cilëson këto dy ikona diamante të Kostandin Zografit, që datojnë në fundin e shekullit XVIII.
“Procesi i restaurimit do kaloj në konsolidimin e pelikulit, të grundit, konsolidimi i panelit të drurit dhe dezinfektimi i ikonës si dhe pastrimi i vernikut të degraduar dhe rivendosja e vernikut të ri për jetëgjatësinë e ikonës”, tha Kallfani.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.
Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit ka restauruar gjithashtu ikonat “Mbledhja e Kryeengjëjve”, me autor Gjergj Johan Çetirin, si dhe ikonën me të njëjtin emër “Mbledhja e Kryeengjëve”, e Kostandin Zografit, “Ngritja e kryqit” dhe “Shën Thanasi”./atsh/KultPlus.com