11 Shtator, 2024 - 12:30 pm
Kalaja e Gjirokastrës ka arritur një numër të lartë vizitorësh për periudhën 1 janar deri më 10 shtator.
Ajo ka pritur 200.000 vizitorë vendas e të huaj ose 21% më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
DRTK Gjirokastër shkroi në rrjetet sociale se, kalaja e Gjirokastrës mirëpret vizitorët për t’i njohur me historinë e për të shijuar pamjen që e rrethon në 360°.
Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura të Shqipërisë, pranuar në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.
Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.
Për gjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime.
Rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala prej rreth 12 kilometra larg.
Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore./atsh/KultPlus.com