8 Janar, 2021 - 8:37 pm
Shkencëtarët kanë thënë se nivelet e papritura të nxehtësisë në Arktik dhe në Siberi janë faktorët kryesorë për ngritjen e temperaturës së përgjithshme.
Gjatë 12 muajve të kaluar u thye edhe një rekord i ri në Evropë, pasi ky kontinent ishte 0.4 gradë celsius më nxehtë sesa gjatë vitit 2019
Londër, 8 janar (Reuters) – Të dhënat më të fundit nga satelitët evropianë kanë treguar se viti 2020 ka hyrë në statistika, bashkë me 2016-n si viti më i nxehtë në botë.
Shërbimi i Kopernikut për Ndryshimet Klimatike ka njoftuar se viti i kaluar ka qenë rreth 1.25 gradë celsius më i nxehtë se shkalla mesatare.
Shkencëtarët kanë thënë se nivelet e papritura të nxehtësisë në Arktik dhe në Siberi janë faktorët kryesorë për ngritjen e temperaturës së përgjithshme. Gjatë 12 muajve të kaluar, u thye edhe një rekord i ri në Evropë, pasi ky kontinent ishte 0.4 gradë celsius më nxehtë sesa gjatë vitit 2019.
Dhjetorin e kaluar, Organizata Botërore e Meteorologjisë kishte parashikuar se 2020-a do të jetë njëra prej tre vjetët më të nxehtë që është regjistruar. Ky raport i ri dhe më i plotë nga Shërbimi i Kopernikut bën të ditur se viti që lamë pas e kryeson listën.
Të dhënat e Kopernikut merren nga një plejadë e satelitëve të Sentinelit që e monitorojnë Tokën nga orbita.
Të dhënat rreth temperaturave nga ky sistem kanë treguar se viti 2020 ishte për 1.25 gradë celsius më i nxehtë sesa temperatura mesatare të regjistruara gjatë viteve 1850-1900, periudhë kjo kohore që përshkruhet si “paraindustriale”.
Një faktor kyç që po ndikon në ngritjen e temperaturave është nxehtësia që ka pushtuar Arktikun dhe Siberinë. Në disa vende të kësaj pjese, temperaturat gjatë vitit ishin në përgjithësi 6 gradë celsius më të larta se mesatarja.
Kjo ngrohje e jashtëzakonshme ka prodhuar një valë zjarresh aktive. Zjarret në Rrethin e Arktikut liruan sasi rekorde të dyoksidit të karbonit gjatë më shumë se një të tretës së vitit 2019, ka treguar studimi.
Shërbimi i Kopernikut ka nxjerrë përfundimin se përderisa viti 2020 ishte margjinalisht më i ftohtë sesa 2016-a, dy vjetët sipas statistikave, qëndrojnë në të njëjtin nivel pasi dallimet e shifrave te të dy vitet janë më të vogla sesa dallimet tipike të gjetura në të dhënat e temperaturave për periudhën e njëjtë. Javën e ardhshme ose ditët në vijim do të publikohen më shumë të dhëna rreth temperaturës së vitit 2020 nga agjencitë e tjera, si “Nasa” dhe “UK Met Office”.
Shkencëtarët kanë thënë se ngjashmëria mes dy vjetëve është edhe më e jashtëzakonshme, kur merren parasysh ndikimet e cikloneve “El Niño”/”La Niña”.
Viti 2016 ishte ngrohur më shumë nga një ngjarje e fortë e quajtur “El Niño”, kurse viti 2020 u ftoh pak nga “La Niña” në gjysmën e dytë të vitit.
Në Evropë gjithashtu pati një rekord të ri të nivelit të ngrohjes për vitin, 0.4 gradë celsius më i ngrohtë sesa viti 2019. Një valë e madhe e të nxehtit në korrik dhe gusht ishte faktor i rëndësishëm për ta rritur merkurin përreth kontinentit.
Globalisht, periudha 10-vjeçare nga viti 2011 deri në 2020 ishte dekada më e ngrohtë, ku gjashtë vjetët e fundit ishin më të ngrohtit që janë regjistruar.
“Viti 2020 do të njihet për ngrohjen e jashtëzakonshme në Arktik dhe një numër rekord të stuhive tropikale në Atlantikun Verior”, ka thënë Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Kopernikut të Ndryshimit Klimatik.
Nuk është e befasishme se dekada e kaluar ishte më e ngrohta që është regjistruar deri më tani dhe është një faktor tjetër që na e rikujton urgjencën për t’i ulur emetimet në mënyrë që të parandalohen ndikimet e tjera klimatike në të ardhmen”.
Gjersa një dukuri e fortë si “La Niña” mund t’i ulë temperaturat pak më 2021, niveli i dyoksidit të karbonit në atmosferë ka gjasa të mbetet i lartë, që do të kontribuojë në ngrohjen e vazhdueshme.
Të dhënat e reja nga “UK’s Met Office” sugjerojnë se përqendrimi mesatar i dyoksidit të karbonit do t’i arrijë nivelet që janë 50 për qind më të larta sesa ato që ishin para revolucionit industrial.
Studiuesit parashikojnë se përqendrimi mesatar vjetor i dyoksidit të karbonit në stacionin e regjistrimit “Mauna Loa” në Hawai do të jetë rreth 2.29 njësi për një milion më i lartë në vitin 2021 sesa më 2020.
Pavarësisht ngadalësimeve globale të shkaktuara nga pandemia COVID-19, shkencëtarët kanë thënë se kjo rritje po udhëhiqet nga emetimet që vijnë nga përdorimi i karburanteve fosile dhe nga shpyllëzimi. Pasi modelet e motit janë të lidhura me ngjarjen “La Niña” mund të shkaktojnë rritjen e pyjeve tropikale dhe mund ta rrisin sasinë e gazit që është absorbuar, kjo nuk do të mjaftojë për ta ngadalësuar ngritjen e përgjithshme.
“The Met Office” ka thënë se dyoksidi i karbonit do të rritet për 417 njësi për një milion në atmosferë gjatë disa javëve nga prilli deri në qershor. Kjo shifër është 50 për qind më e lartë sesa niveli prej 278 pjesë për milion që ishte në shekullin 18, pasi veçse kishte filluar aktiviteti i gjithanshëm industrial.
“Shtimi i dyoksidit të karbonit në atmosferë, i shkaktuar nga njerëzit, është duke u përshpejtuar”, ka thënë profesori Richard Betts nga “Met Office”.
“U deshën mbi 200 vjet që nivelet të rriteshin për 25 për qind, por tani për vetëm 30 vjet më vonë po i afrohemi rritjes prej 50 për qind”, ka thënë ai. “Për sprapsur këtë trend dhe për ta ngadalësuar rritjen atmosferike të dyoksidit të karbonit do të duhet që të ulen emetimet globale dhe për t’i sjellë ato në këtë pikë duhet që emetimet globale të shkojnë deri në zero. Kjo duhet të ndodhë brenda 30 vjetëve të ardhshëm nëse ngrohja globale do të kufizohet në 1.5 gradë celsius”. /Koha/ KultPlus.com