24 Mars, 2020 - 8:59 am
Sot mbushen 21 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.
Ish – kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si “ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.
Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.
Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëndimore pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës. Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të krahasohen dhe se mes tyre s’ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s’ka pasur mandat nga Këshilli i Sigurimit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në Ukrainë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër ndërhyrja në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran dhe bashkimin e tij me Rusinë.
Bilanci i sulmeve
Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.
Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 – 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.
Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të zhdukur. Ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.
Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende – 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtarëve të huaj në Kosovë është zvogëluar në rreth 5.000. / KultPlus.com