7 Dhjetor, 2022 - 11:56 am
Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001, pas presionit ndërkombëtar për lirimin e të burgosurve politikë nga regjimi serb.
Kurti ishte arrestuar më 27 prill 1999 në Prishtinë dhe deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej datës 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit dhe prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000 në burgun e Nishit.
Procesi gjyqësore ndaj Albin Kurtit ka filluar më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas nenit 116.
Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit, prej nga kishte dhënë një intervistë më 22 prill 2000.
Prej nëntorit 2000 deri 3 dhjetor 2001 ka qenë në burgun e Quprisë ndërkaq, prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit. /KultPlus.com