10 Janar, 2021 - 11:07 am
Një ndër emrat që ka hyrë në histori nëpërmjet profesionalizmit të tij është edhe shqiptari Karl Gega, shkruan KultPlus.
Ai ishte një nga inxhinierët pionerë të hapjes së tuneleve në veprat e mëdha infrastrukturore.
I lindur më 10 janar të vitit 1802 në Venecia të Italisë, Karl Gega ka prejardhje shqiptare, teksa të parët e tij kishin emigruar nga Shqipëria e Veriut pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit osman.
Ai ishte ndërtues i hekurudhës së Semmering-ut prej Gloggnitz deri në Mürzzuschlag në Austri. Ai studioi në Padova të Italisë, ku edhe mori titullin Doktor i Shkencave Matematikore. Karrierën e filloi si inxhinier në pjesën e Italisë verilindore dhe ndërtoi rrugë e ujësjellës në Venecia.
Në vitin 1842, Gega u emërua udhëheqës planifikimi për të gjithë jugun e shtetit Austro-Hungarez. Ndër të tjera, ndihmoi në ndërtimin e rrugës “Strada d’alemagna”, rrugës nga Treviso për në Cortina d’Ampezzo, hekurudhën Vjenë-Graz-Trieste dhe hekurudhën e Semmeringut. Kjo e fundit mbetet si një nga veprat me të hershme dhe më të shquara të hekurudhave në Europë.
Në vitet 1853-54, Gega planifikoi të gjithë rrjetin e hekurudhave në monarkinë Habsburge. Por, ndërtimi i hekurudhës së Semmeringut i kushtoi jetën Gegës, pasi rivalët thurën fjalë se tuneli i projektuar prej tij do të dështonte. Ndaj ai, vrau veten para se tuneli të përfundonte. Pas vdekjes së tij, punimet vazhduan dhe tuneli përfundoi me sukses.
Karl Gega u vendos në panteonin e njerëzve të mëdhenj. Shtatë vjet më vonë, d.m.th. në 1867 eshtrat e tij u vendosën përfundimisht në një varr përmendore. Edhe në stacionin e Semmeringut. Pas dy vjetësh, iu ngrit një përmendore në kujtim të këtij nismëtari të hekurudhave malore.
Vite më vonë u emetuan pulla poste dhe kartmonedha me fytyrën e Karl Gegës. Ndërkohë filluan shtrembërime tendencioze lidhur me kombësinë, gjoja italiane apo gjermane të këtij personaliteti. Por në vetë qarqet e kulturës austriake nuk munguan autorë objektivë, që e kanë vënë në dukje origjinen e tij shqiptare, siç është p.sh. rasti i Friedrich Uallisch, i cili, në librin me titull “Neuland Albanien”, botuar në Stuttgart 1931, thotë në faqen 113: “Karl Gega, ndërtuesi gjenial i hekurudhës së Semmeringut, ka qenë me prejardhje shqiptare, siç dëshmon vetë mbiemri i tij “Gega”, që do thotë nga Shqipëria Veriore”. / KultPlus.com