2 Dhjetor, 2020 - 9:24 am
Nga Fadil Halimi
Para 22 viteve vritet veprimtari, poeti e gazetari Afrim Maliqi, vëllai i vetëm i shtatë motrave, baladë në vete. Ai jetoi vetëm 33 pranvera, ose “vetëm tetëmbëdhjetë orë më shumë se Jezu Krishti”, siç do të shkruante gazetari Jusuf Salihu.
Në vjeshtën e ftohtë të 2 dhjetorit të vitit 1998, Afrimi bie dëshmor si një veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare bashkë me Hyzri Tallën dhe Ilir Durmishin, derisa ndodheshin në një mision ushtarak. Ata u vranë në një pritë që i kishin bërë forcat e shumta serbe në Prishtinë, në afërsi të Qendrës së studentëve.
Lajmi për vrasjen e Afrimit ishte ankth e tmerr në familjen e tij, tek miqtë dhe tek të gjithë ne që e njohëm.
“Çdo rrëfim për vrasjen e njeriut të mirë është një tmerr. Por rrëfimi për vrasjen e artistit dhe intelektualit kapërcen kufijtë e tmerrit. Është një tundje planetare”, do të shkruante Halil Matoshi.
“Po. Vrasja e Afrimit është një prerje, siç u prenë baladat e J.G. – së. Afrim Maliqi. Një emër midis nesh, që e kemi dashur, sepse ishte i shndritur nga mendimi. Po. Afrimi ishte një Amadeus – i ardhur i perëndisë, se Zoti i zgjidhka dëshmorët, dhe këtë fat s’mund ta ketë secili nesh – një dëshmor që jeton, vetëm ka ndërruar trajtë – por ne nuk kemi afërsi që ta shohim, ai jeton heshtur, por historia nuk bëhet pa të. Ai ishte një kritik i rreptë i shoqërisë shqiptare, por i butë dhe fin. O Zot i madh, si bëre emër që Afrimi të zgjodhët që t’u bëhet fli hyjnive të një toke të egër, por të pafajshme, siç është Fusha e Mëllenjave. Pse të zgjedhurin tënd o Zot? Atë e patëm zgjedhur ne, pse na e more Zot. Ah, Afrim Maliqi se ç’na bëre një gropë në shpirtë, një humnerë të madhe sa mungesa”, ka shkruar mes tjerash Matoshi më 22 dhjetor 1988.
Për vrasjen e tij kanë shkruar intelektual, poetë, miqë e kolegët të shumtë gazetarë si: Enver Maloku, Blerim Shala, Jusuf Salihu, Nazmi Elezi, Safet Zejnullahu, Ali Cenaj, Ismail Syla, Nazmi Misini, Emine Berisha, Bekim Toqani, Fisnik Abrashi, Shaip Mustafa, Xhevat Llugaiu, Afrim Mustafa, Habibe Maliqi, etj.
Kolegu e miku i tij Shpend Halili, shkruan rrëfimin me titull “Artisti vdes i ri” ose “ Njeriu vdes i ri” pat shkruar në një varg poeti Sabri Hamiti; e miku ynë Afrim Maliqi vdiq i ri, jo vetëm si njeri, po edhe si artist. Pak kush ka mundur ta njohë atë shumë, edhe pse kishte shumë miq, dhe kjo vetëm për arsyen e vetme, se ai sikur të gjithë artistët vetmitarë ndrynte në vete dy botërat misterioze: atë të jetës reale dhe të asaj imagjinare. Jeta iu këput fare shpejt, ashtu sikur vdiset sot në Kosovë – me vrasje; tinëzisht. Po, për vdekjen e tij, ai nga thellësia e shpirtit sikur ishte i paralajmëruar, sepse kur na rastiste të flisnim për vdekjen, e merrte atë bisedë fare lirshëm, si një fund i cili mund të vijë shumë shpejt. Ai, kish lindur që të vdiste herët, ngase jo një herë e thoshte sekretin e tij se si paramendonte varrimin e tij.. E cili mund ta thotë këtë mendim për vdekjen e varrimin, veç njeriut të cilin e cilëson virtyti i trimërisë”, ka thënë mes tjerash Halili.
Poeti e gazetari Afrim Maliqi lindi më 1 dhjetor 1965 në fshatin Dobratin të Podujevës. Mësimet e para deri në klasën e gjashtë i kishte filluar në vendlindje për ti vazhduar vitet tjera të tetëvjeçares në Dumnicë të poshtme, ku ishte shpërngulur me familje e tij. Shkollimin e mesëm Afrimi e vazhdon në QAMO të Podujevës, kurse studimet i përfundon në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, në degën: Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Gjatë periudhës së studimeve, ai u njoh me Sevdije Rexhepin nga Prishtina, me të cilën u martua në muajin maj të vitit 1989. Nga kjo martesë ata i dhuruan jetë djalit Bardhit dhe vajzës Gresës.
Afrimi gjatë punës prej gazetari në të përditshmen “Rilindja” përkatësisht “Bujku” të Prishtinës, regjistron studimet postdiplomike për letërsinë shqipe dhe shquhej me shkrimet analitike për gjendjen e përgjithshme në Kosovën e okupuar nga Serbia.
Në të njëjtën kohë ai dha kontribut edhe në letërsinë shqiptare. Afrimi botoi shumë krijime letrare, kritikë, ese e poezi në të përditshmet tona si në gazetën e studentëve “Bota e re”, Prishtinë, Flaka e vëllazërimit”, Shkup, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, “Rilindja” Prishtinë, etj.
Çështja kombëtare shqiptare për të nuk mbeti vetëm një kontribut, por edhe sakrificë jetësore, për të cilën ai e la bashkëshorten Sevdijen me dy fëmijët, shtatë motrat pa asnjë vëlla dhe nënën Mihrije pa djalin e vetëm.
Vepra letrare e publicistike e Afrimit u botua në dy vëllime nga Qendra e Kulturës në Podujevës, e udhëhequr nga Nexhmi Balaj e nën përkujdesjen dhe mbledhjen e materialeve nga Munish Hyseni e bashkëshortja e tij Sevdije Maliqi.
Afrimi do të mbetet përherë i gjallë në historinë dhe kujtesën e shoqërisë shqiptare. / KultPlus.com