24 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit

16 Maj, 2023 - 2:00 pm

Janë bërë sot plotë 24 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara, është zhdukur Ukshin Hoti.

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur. / KultPlus.com

Të ngjajshme