6 Dhjetor, 2021 - 2:28 pm
Haider Malik, 24 vjeç ngriti një banerë në Canary Wharf në Londër, ku në të kishte shënuar CV-në e tij dhe faqen e LinkedIn. Falë mënyrës së tij të pazakontë, ai gjeti punën e ëndrrave pas tre orësh, shkruan BBC
Pasi punoi për NHS gjatë bllokimit të Covid-19, i diplomuari për biznes dhe financë vendosi të ndërmarrë një tjetër qasje. Ai vendosi të blinte një tabelë në një dyqan në Romford, në lindje të Londrës, të cilën e përdori për të përcaktuar qartë aspiratat e tij për karrierë, duke përdorur gjithashtu edhe kodin QR në CV-në e tij dhe profilin e LinkedIn.
Malik tha: “Unë arrita atje rreth orës 6:45 të mëngjesit dhe qëndrova për rreth dhjetë minuta në të ftohtë, dhe në fillim ishte shumë e sikletshme. “Unë po qëndroja atje duarbosh dhe CV-ja ime ishte në çantën time, kështu që shpresoja disi që dikush të vinte tek unë pasi isha mësuar që dikush të më ndihmonte.”
Me kalimin e kohës, Haider e kuptoi se nuk mund të priste që njerëzit t’i afroheshin dhe kështu vendosi të fillojë të përshëndesë kalimtarët. Ai kishte bërë disa kopje të CV-së së tij dhe në më pak se një orë 100 kopje të CV-së së tij u “zhdukën”.
“Dhe në vend që të printoja CV-të ku ato ndoshta do të përfundojnë në kosh gjithsesi, vendosa të përdor një kod QR për platformën time LinkedIn dhe një CV që të mund ta shkarkonin pasi të gjithë kanë një telefon dhe kur njerëzit janë duke udhëtuar, ata kanë kohë për ti hedhur një “sy”.
“Gjithçka që duhej të bënin ishte të skanonin kodin.”
Brenda vetëm tre orësh, Haider gjeti një punë në Canary Wharf Group PLC dhe pasi kontrolloi telefonin e tij, kuptoi se historia e tij ishte bërë virale në mediat sociale pasi postoi një përditësim në faqen e tij në LinkedIn, raporton abcnews.al
Përpjekjet e tij dhanë rezultat dhe në fund të javës, Malik, filloi të punojë në Canary Wharf Group PLC, si asistent i thesarit. Pas diplomimit, Haider kishte punuar për një kohë të gjatë si shofer transporti në UberEats dhe ai shpjegoi se një burim i vazhdueshëm frymëzimi ishte babai i tij, Mehmood Malik.
Ai tha: “Babai im është 67 vjeç dhe ishte emigrant nga Pakistani, i cili erdhi në Angli gjatë adoleshencës. “Ai ishte shofer taksie dhe punonte ndoshta 12 deri në 14 orë në ditë. “Gjithmonë jam frymëzuar nga ai, sepse ai ka bërë gjithmonë më të mirën për ne”.
Kur Haider po rritej, ai gjithmonë e dinte se donte të punonte në Canary Wharf, por vendosi të vizitonte distriktin vetëm kur të ndihej gati për të ndërmarrë hapin tjetër. Mëngjesin e ftohtë të 2 nëntorit, ai e vizitoi për herë të parë dhe u bë pjesë e botës së financave.
“Dua të vazhdoj të përdor platformat e mia për të ndihmuar njerëzit e tjerë, veçanërisht për ata që janë përpjekur të gjejnë një punë në pandemi./abcnews.al /KultPlus.com