15 Dhjetor, 2023 - 1:30 pm
Më 15 dhjetor 1999, shqiptarët në Itali u njohën si një pakicë gjuhësore etnike.
Njohja juridike e popullsisë me origjinë shqiptare e mërguar në Italinë e Jugut, bazohet në ligjin kornizë nr. 482. Statusi i pakicës gjuhësore mundëson mësimin e gjuhës shqipe në shkollat fillore dhe të mesme, krahas përdorimit të saj zyrtar në administratën shtetërore, në biblioteka, në shërbime publike etj.
Popullata shqiptare u nis në mërgim drejt Italisë me vendosjen e vendit nën pushtimin otoman. Pavarësisht represionit asimilues, arbëreshët ruajtën me ngul traditën, kulturën dhe simbolet arbërore.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto nga vizita e një grupi arbëreshësh të Italisë gjatë vizitës në Shqipëri. Gjithashtu promemorien drejtuar kryetarit të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris nga arbëreshët e Palermos, të cilët shprehnin dhimbjen për dhunimin e të drejtave të Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com