27 Mars, 2023 - 9:50 am
Marsi dhe Prilli i vitit 1999, ishin muaj tragjik për shumë qytetarë të komunës së Pejës, ngase pikërisht në këto ditë ndodhën masakra të tmerrshme nga forcat paramilitare serbe.
Po bëhen 24 vite nga këto masakra po dhimbja gjithnjë e më shumë po rritet për ata të cilët u vranë dhe u masakruan.
Pikërisht në këtë 24 vjetor sot kujtohen dhe nderohen 69 viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3, me c`rast edhe kryeministri Albin Kurti sot do të bëjë homazhe te pllaka përkujtimore për masakrën në lagjen ‘’Dardania’’ në Pejë, në orën 10:30.
Gani Gashi, banor i kësaj lagjeje, pati rrëfyer se në 27 marsin e vitit 1999 kishin përjetuar një tmerr kur paramilitarët serbë, kishin filluar ti ndanin burrat nga familja e tyre dhe më pas i kishin pushkatuar dhe duke mos u ngopur me kaq, ata hynë edhe në shtëpitë e këtyre lagjeve ku kryen masakra të rënda.
Edhe pse kanë kaluar 24 vite, familjarët pohojnë se dhimbja ndaj më të dashurve të tyre për asnjë moment nuk shuhet, kurse më të pikëlluarit janë ata familjarë, anëtarët e të cilëve akoma evidentohen si të zhdukur. / KultPlus.com