26 Mars, 2025 - 1:58 pm
Presidentja Vjosa Osmani sot ka qëndruar në Krushë të Vogël dhe Krushë të Madhe në 26-vjetorin e masakrave që ndodhën në këto fshatra.
Duke numëruar viktimat e të zhdukurit, Osmani tha se regjimi gjenocidal i Serbisë kishte për qëllim shfarosjen e popullit, duke djegur edhe kufomat pas krimit.
“Sot kujtojmë me dhimbje dhe nderim 241 banorë të vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 të vrarë në Krushë të Vogël nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Sot e kësaj dite, 64 persona nga Krusha e Madhe, si dhe 60 nga Krusha e Vogël, mbeten të zhdukur me dhunë nga regjimi serb, si dëshmi e krimit të përsëritur dhe i dhimbjes së pashuar të familjarëve që akoma nuk kanë ku të vendosin një lule kujtimi”.
“Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë e pleq, e edhe gra shtatzëna, si dëshmi se mizoria e regjimit të Millosheviqit nuk kishte kufi. Pasi i vranë banorët e këtyre fshatrave, ata i dogjën kufomat, me qëllim të pastër për të shfarosur popullin tonë nga tokat tona”.
Osmani tha se banorët e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël qëndruan dhe u shndërruan në simbol të pathyeshmërisë.
“Sot para tyre rikonfirmojmë përkushtimin tonë të çdoditshëm për drejtësi dhe që kujtimi për të rënët mos të harrohet kurrë. Lavdi e përjetshme gjithë atyre që u flijuan për liri!”. Ka shkruar Osmani.
Në Krushë të Madhe e të Vogël kanë shkuar edhe kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. /KultPlus.com