25 vite më parë serbët i vranë 9 anëtarë të familjes Lipa, trupat e tyre i hodhën në bunarin e shtëpisë dhe i vendosën dinamit

13 Prill, 2024 - 12:19 pm


Sot është 25 vjetori i kësaj masakre të tmerrshme që ndodhi në Studenicë të Istogut. KultPlus sjell këtu prezentimin e ndodhisë nëpërmjet “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, botuar nga Admovere:

STUDENICË

Pas fillimit të bombardimeve të caqeve policore e ushtarake sërbe e jugosllave prej NATO-s (24 mars 1999), në fshatin Studenicë të Istogut, konkretisht në shtëpinë e Salih Zeqirajt, strehohen disa të afërm, gra, fëmijë e pleq të familjes Lipa nga fshati fqinj Kamenicë.  Më 12 prill 1999, në fshatrat fqinje Vrellë e Lubozhdë, zhvillohen luftime ndërmjet UÇK-së dhe forcave policore e ushtarake sërbo-jugosllave, me ç’rast vriten 11 ushtarë të UÇK-së. Po këtë ditë familja Lipa vendos të largohet nga fshati Studenicë dhe të strehohet rrëzë bjeshkëve, në fshatin e afërt Kaliqan.

Mëngjesin e të nesërmes, Salih Zeqiraj, bashkë me disa prej grave dhe vajzave të familjes Lipa, kthehet në shtëpinë e vet në Studenicë për të marrë ushqime.  Forcat sërbe i zënë në shtëpi, i torturojnë dhe vrasin të zotin e shtëpisë, Salih Zeqirajn 85-vjeçar, si dhe tetë anëtarë të familjes Lipa, që të gjithë civilë të paarmatosur, prej të cilëve katër vajza të moshave 13-15 vjeçare, si dhe katër gra, tri prej të cilave mbi 65-vjeçare.

Sipas gazetarit Francesco Grignetti të gazetës italiane ‘La Stampa’, dy vajza të mitura dhe një grua e familjes edhe përdhunohen para se të vriten.

Më pas, forcat sërbe i hedhin trupat e të vrarëve në bunarin e shtëpisë, rreth 20 metra të thellë, dhe i mbulojnë me dhé, gurë, kashtë e gëlqere.  Sipër hedhin edhe një televizor të vjetër e një shporet, dhe vënë dinamit, por shpërthimi vetëm pjesërisht i shkatërron muret e bunarit. Trupat më në sipërfaqe copëtohen nga eksplodimi, kurse të tjerët më në thellësi mbesin të paprekur .

Po të njëjtën ditë, forcat sërbe në Studenicë vrasin edhe tri plaka e dy pleq, të gjithë mbi 65-vjeçarë.

Ndërkohë, anëtarët tjerë të familjes Lipa, sikurse edhe banorët e fshatrave Vrellë, Studenicë e Kaliqan, të strehuar rrëzë bjeshkëve, kapërcejnë kufirin dhe dalin në Mal të Zi, ku qëndrojnë disa ditë.  Për shkak të pasigurisë, kalojnë në Shqipëri, ku qëndrojnë deri në përfundimin e luftës, pa ditë asgjë rreth fatit të familjarëve që ishin kthyer në Studenicë.

Pas tërheqjes së forcave sërbe e jugosllave dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, të mbijetuarit e familjes Lipa kthehen nga Shqipëria, duke shpresuar se do t’i gjejnë familjarët e mbetur.  Shtëpinë e Salih Zeqirajt e gjejnë të shkatërruar, sikur gati të gjitha shtëpitë e fshatit, vërejnë çdokund njolla gjaku  dhe bunarin e mbuluar me gjithfarë materialesh.

Me ndihmën e fshatarëve dhe në prani të KFOR-it italian, më 23 qershor 1999, familjarët i nxjerrin trupat e të vrarëve nga bunari , e më pas i varrosin në fshatin Kamenicë. Një oficer i KFOR-it italian, duke e parë tërë këtë tmerr, thotë “le të shpresojmë se i kanë vrarë para se t’i hidhnin në bunar” .

Në tërësi, sipas Humanitarian Laë Center, më 13 prill 1999 forcat sërbe në fshatin Studenicë të Istogut kanë vrarë 14 civilë të paarmatosur shqiptarë, ndër të cilët gjashtë gra, përveç njërës të gjitha mbi 65-vjeçare, katër vajza 13-15 vjeçare, si dhe katër pleq 65-85 vjeçar.

Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush./ KultPlus.com

Të ngjajshme