250 000 të pranishëm i japin lamtumirën e fundit papa Françeskut

26 Prill, 2025 - 1:14 pm

Të paktën 250 000 persona, sipas të dhënave nga Vatikani, përcollën sot për në banesën e fundit papa Françeskun.

Arkëmorti i papës, i nxjerrë nga bazilika përmes Derës së Lutjes, u vendos në makinën papale.

Procesioni do të kalojë nëpër qendër të Romës për të shoqëruar trupin e papa Françeskut në Santa Maria Maggiore, ku ai do të varroset.

Një lumë njerëzish shoqërojnë makinën papale me arkivolin e papa Françeskut.

Mijëra njerëz u mblodhën përgjatë rrugës nga Vatikani në Santa Maria Maggiore, ku do të varroset Bergoglio.

Duartrokitje dhe foto ndërsa kalonte makina papale, për një lamtumirë të fundit Papës.

“Pavarësisht brishtësisë dhe vuajtjeve të tij të fundit, papa Françesku zgjodhi të ndiqte këtë rrugë deri në ditën e fundit të jetës së tij tokësore. Ai ndoqi gjurmët e Zotit të tij, Bariut të Mirë, i cili i deshi delet e tij deri në atë pikë sa dha jetën e tij për to. Dhe e bëri këtë me forcë dhe qetësi, pranë kopesë së tij, Kishës së Zotit”, tha kardinali Giovanni Battista Re në homelinë e tij në meshën mortore.

Duartrokitje nga turma, në Santa Maria Maggiore dhe në Shën Pjetër, kur dekani kujtoi angazhimin e Françeskut për paqen.

Qindra mijëra besimtarë nxorën në pah fragmentet më domethënëse të fjalimit, kur kardinali kujtoi vlerat kryesore të papatit të Bergoglios, nga thirrjet kundër luftës deri te mendimi ndaj migrantëve dhe atyre në nevojë.

“Në bashkim shpirtëror me të gjithë Krishtërimin, jemi këtu në numër të madh për t’u lutur për papa Françeskun, në mënyrë që Zoti ta mirëpresë atë në pafundësinë e dashurisë së tij. Papa Françesku i mbyllte fjalimet dhe takimet e tij personale duke thënë ‘Mos harroni të luteni për mua’. Tani, i dashur papa Françesku, ju kërkojmë të luteni për ne dhe ju kërkojmë që nga qielli ta bekoni Kishën, ta bekoni Romën, ta bekoni të gjithë botën, siç bëtë të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj bazilike, në një përqafim të fundit me të gjithë popullin e Zotit, por idealisht edhe me njerëzimin që kërkon të vërtetën me zemër të sinqertë dhe mban lart pishtarin e shpresës”, tha kardinali Giovanni Battista Re./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme