14 Dhjetor, 2024 - 7:44 pm
Kryeministri Albin Kurti sot ka përkujtuar sulmin terrorist të Serbisë në kafiterinë “Panda” në Pejë.
“Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Më 14 dhjetor 1998, shërbimet serbe ekzekutuan të gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore.
“Nuk ka asnjë provë që është kryer nga shqiptarët”, kishte deklaruar Aleksandar Vuçiq në vitin 2013. “Ka shumë gjëra të tmerrshme me të cilat do të na duhet të përballemi, siç është vrasja e serbëve në kafiterinë Panda”, kishte thënë ai.
Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin në Kosovë.
Këtë e ka thënë në vitin 2014 edhe Vuk Drashkoviq, duke akuzuar shërbimin sekret serb për krimin në “Panda”, duke veçuar Radomir Markoviq dhe Milorad Ulemek Legija, ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO). Krimi është kryer që UÇK-ja “të paraqitet si organizatë terroriste” për të “ngjallur ndjenjat antishqiptare” dhe për të justifikuar veprimet e ardhshme të forcave serbe”, kishte thënë Drashkoviq.
Pas këtij sulmi, forcat serbe arrestuan më shumë se 150 shqiptarë në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan dhe torturuan në mënyra ҫnjerëzore edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishte 22, ndërsa më i riu 17 vjeç. Gjashtë të rinjtë shqiptarë, në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të pafajshëm.
26 vjet pas, shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb. Serbia mohon gjenocidin në Kosovë, mohon gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë, mohon masakrën në Srebrenicë, edhe masakrën në Reçak. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht.
Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë janë të domosdoshme./ KultPlus.com