5 Korrik, 2019 - 10:36 am
Janë bërë sot 29 vjet nga mbyllja e dhunshme e Radiotelevizionit të Prishtinës nga forcat policore serbe, që erdhi vetëm 3 ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Pas kësaj ndërhyrjeje, punëtorët shqiptarë u larguan nga vendet e tyre të punës dhe u ndërpre transmetimi i programit në gjuhën shqipe.
Ishte data 5 korrik 1990. Ora shënonte 14:45 minuta dhe në ekranin e televizionit po transmetohej ditari i lajmeve.
Nazmije Veseli po moderonte lajmet, që ishin të fundit që transmetoheshin në Radiotelevizionin e Prishtinës. Masat e dhunshme të Serbisë u futën në studiot e RTP-së së atëhershme dhe e ndërprenë programin në gjuhën shqipe.
Mbylljes së RTP-së i kishte paraprirë suspendimi në të njëjtën ditë i Kuvendit të Kosovës nga ana e Kuvendit të Serbisë. Atë ditë ishte marrë vendim edhe për futjen e masave të dhunshme në RTP. Këto veprime vinin vetëm tri ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Praktikisht, nga ajo ditë, pushteti serb e okupoi Kosovën. Kjo erdhi pasi ‘de jure’ autonomia e Kosovës u suprimua më 28 mars 1989 kur në Beograd Kuvendi Federativ i Jugosllavisë ratifikoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1974. I menjëhershëm ishte veprimi edhe për mbylljen e RTP-së.
Një ditë pas futjes së masave të dhunshme në RTP, erdhi vendimi për largimin nga puna të 13 gazetarëve dhe redaktorëve. Më pas u larguan edhe 1300 punëtorë të tjerë të këtij mediumi, dhe e vetmja dritare televizive e informacionit u mbyll për shqiptarët për dhjetë vjet, deri pas përfundimit të luftës, kur nisi punë Radiotelevizioni i Kosovës. Në atë kohë masat e dhunshme u vendosen në të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe nga vendet e tyre të punës u larguan -mijëra shqiptarë. / KultPlus.com