30 Dhjetor, 2020 - 11:02 am
Sot mbushen 29 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.
29 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.
Adem Jashari lindi në rajonin e Prekazit të Drenicës në Kosovë, më 28 nëntor 1955. Ai ishte një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke qenë gjithashtu edhe kryekomandanti i saj.
Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe.
Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy netë.
Forcat policore filluan sulmin pa asnje paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjerë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.
Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi Besarta Jashari (asokohe 11 vjeç).
Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëronte për 69 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe ushtrisë. / KultPlus.com