12 Dhjetor, 2019 - 8:54 am
Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë sot shënon 29-vjetorin e themelimit. Kjo lidhje e arsimtarëve ishte themeluar me qëllim që të kërkonte të drejtat në arsim, duke kundërshtuar planet diskriminuese që Serbia kishte bërë ndaj arsimit në Kosovë.
Njëri nga themeluesit, Rexhep Osmani kishte deklaruar kohë më parë se qëllimi Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ishte që të bllokonte synimin e Serbisë për ta shkatërruar arsimin në Kosovë.
“Serbia pretendonte që të gjitha kompetencat e sistemit arsimor të Kosovës t’i bartë në Serbi, synonte t’i impononte plan-programet në Kosovë. Po ashtu, filloi t’i emëronte drejtorët e shkollave dhe inspektorët që i sillte nga Serbia, por falë bashkimit në një rezistencë, ne filluam të bënim plan-programet, zgjedhjen e drejtorëve dhe të tjera. Me këtë rast filloi terrori i Serbisë mbi arsimin në Kosovë, ku së pari janë ndalur pagat, pastaj filloi t’i mbyllë shkollat, deri në shtator të vitit 1991 ku mbylli të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Disa shkolla u bënë edhe kazerma të ushtrisë serbe, kurse ne e rifilluam mësimin në shtëpitë private”, kishte deklaruar ai.
Lidhja ishte themeluar më 12.12.1990, ku kishin marrë pjesë 250 delegatë. LASH-i kishte përcaktuar frymën e një rezistence masovike kundër planeve diskriminuese serbe ndaj arsimit shqiptar në Kosovë. /21media/ KultPlus.com