28 Janar, 2020 - 10:07 am
Më 28 janar të vitit 1704, Kongregata e atëhershme e Vatikanit, “Propaganda Fide” (Propaganda e Fesë), sot Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, miratonte botimin e dokumenteve të Koncilit të I kishtar të Arbërit, apo Asamblesë së Parë të klerit katolik shqiptar, që u mbajt në fshatin Mërçi të qytetit të Lezhës.
Kuvendi apo Koncili kishtar i Arbërit, që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merçisë, tri kilometra në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviqit, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare e të gjuhës shqipe. Ishte data 14 janar e Kuvendi do të vijonte edhe më 15 e 16 janar 1703. Ndërsa më 28 janar 1704, Kongregata e Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin “Propaganda Fide”, miratonte botimin e dokumenteve të këtij Koncili kishtar.
Asokohe në fronin e Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Klementi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc Zmajeviqit, kryeipeshkëv i Tivarit, në cilësinë e vizitatorit apostolik, të kryente vizitën kanonike në të gjitha dioqezat, mundësisht edhe kishat e qendrat katolike të Shqipërisë. Pas kësaj vizite apostolike, që e kreu brenda tre muajve, në dhjetor të vitit 1703, kryeipeshkvi Imzot Zmajeviq mblodhi në Koncil apo Kuvend kishtar: 7 ipeshkvij dhe tre misionarë, nën kryesinë e tij, si kryeipeshkëv i Tivarit, vizitator apostolik e primat i Serbisë.
Në përfundim të punimeve, dekretet e Koncilit të Arbrit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviqi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit, më 28 janar 1704, u botuan nga kongragata e Vatikanit Propaganda Fide, nën titullin “Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin“./drita.info/ KultPlus.com