14 Janar, 2022 - 10:30 pm
Bashkia e Lezhës përkujtoi sot me një aktivitet të organizuar në fshatin Merqi, 319-vjetorin e Kuvendit të Arbrit.
Duke përshëndetur këtë aktivitet, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu kujtoi se “më 14-15 Janar 1703 këtu u bë Kuvendi i Arbrit me përfaqësues të klerit katolik nga gjithë trevat shqiptare, për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar”.
“Ai Kuvend shënon ngjarjen e dytë më të rëndësishme, pas Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit, më 2 Mars 1444 për sa i përket çështjes kombëtare”, tha Ndreu.
Ai theksoi se “në 319-vjetorin e kësaj ngjarje ishim në Merqi, jo vetëm për ta përkujtuar atë ngjarje, por dhe për të shpalosur planin e restaurimit të kishës së Shën Gjon Kryepremit, vendi ku u mbajt ky event kombëtar”.
Ndreu tha se “Dom Nikë Ukgjini, Dom Angjelin Krygja, biznesmenët Gjergj Liqejza dhe Viktor Jushi, si dhe Bashkia Lezhë do bashkojnë forcat për transformimin e kishës dhe ambienteve përreth në lartësinë e vlerave që përfaqëson”. / KultPlus.com