10 Gusht, 2022 - 12:00 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi se si sot, më 10 gusht 1990 në burgun e Qaf Barit në Pukë, organizohej një grevë urie e cila ishte një nga këmbanat më të forta për ndryshimin e ligjit dhe kërkesave të njëpasnjëshme të organizatave të ndryshme për amnistinë e të burgosurve politikë në Shqipëri.
Shqipëria po kalonte momente të forta në arenën ndërkombëtare pas ikjes së emigrantëve shqiptarë në ambasadat e huaja në vend dhe këto lajme edhe pse të cunguara do të përfshinin edhe jetët e shumë të burgosurve politikë të cilët kërkonin një rreze shprese. Të gjendur para kokëfortësisë së sistemit i cili ende nuk kishte reaguar nëpërmjet legjislacionit për amnisti karshi të burgosurve ata ndërmarrin sërish një hap të guximshëm duke u futur në grevë urie.
DPA kujton se po në këtë burg më 22 maj të 1984 filloi një përleshje e cila do ta çonte në revoltë marrëdhënien e të burgosurve dhe komandës së kampit.
Mendohet se në Shqipërinë e atyre viteve rreth 59000 vetë ndodheshin ende në burgje. Vetëm në 30 shtator 1991 me vendimin 7514 shteti shqiptar do të shpallte amnisti dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë./ata/ KultPlus.com