32 vjet nga pamja e anijes së ‘ëmbël’: Në sytë e shqiptarëve shihej uria, shpresa e konfuzioni

8 Gusht, 2023 - 12:47 pm

 

Themelimi i Partisë Komuniste në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, më 8 nëntor të vitit 1945, do të vendoste për fatin e Shqipërisë për 45 vitet e ardhshme.

Periudha 40 vjeçare e sundimit të tij, u karakterizua edhe nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësishtë nga policia dhe Sigurimi i Shtetit (policia sekrete).

Komunizmi në Shqipëri pësoi rënie në vitin 1989. Rënia e regjimit komunist, në vitin 1990, shënoi fillimin e eksodit të pandalshëm të shqiptarëve drejt botës perëndimore.

Përmes emigrimit shqiptarët kërkonin shpëtim nga izolimi, varfëria dhe politikat brutale të regjimit të kohës. Mijëra qytetarë mësynë portet e vendit, kryesisht atë të Durrësit e të Vlorës, ku morën në kontroll mjetet lundruese që mundën dhe detyruan ekuipazhet t’i transportonin për në Itali. Në muajt që pasuan, mijëra të tjerë iu drejtuan Italisë me barka dhe çdo mjet tjetër. Ishte eksodi më i madh në histori.

Më 8 gusht 1991, pamja e papritur e anijes “Vlora”, e tej mbushur nga njëzet mijë burra, gra dhe fëmijë shënoi një pikë kthese epokale.

E përditshmja italiane në atë kohë shkruante se në sytë e shqiptarëve shihej uria, lexohej shpresa e konfuzioni i atyre që erdhën nga një shtet i reduktuar për 41 vjet nën diktaturën buro-komuniste të Enver Hoxhës.

Më tej, gjeografia e emigrimit u zgjerua përtej Italisë dhe Greqisë, në të gjitha vendet perëndimore në Evropë, SHBA, Kanada, Australi e deri në Zelandë të Re. Për arsye dhe motive të ndryshme migrimi i shqiptarëve po vazhdon edhe sot. Gjithsesi, eksodi sot është bërë një fenomen global. / KultPlus.com

Të ngjajshme