11 Qershor, 2020 - 3:00 pm
Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf dhe atdhetar i shquar.
U lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi. Familja Marubi historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm.
Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Ai ishte fotografi i fundit i familjes dhe vlerësohet si një nga fotografët më të shquar në Ballkanit të brezit të tij. / KultPlus.com