2 Shkurt, 2024 - 9:53 am
Më 2 shkurt të vitit 1992, u nda nga jeta historiani dhe folkloristi, Qemal Haxhihasani.
Vjetët e parë të edukimit i ndoqi në Ushtrimoren dhe në Normalen e Elbasanit. Në moshën 20-vjeçare, nisi të punojë si mësues në zonat e Peshkopisë, të Korçës dhe të Tetovës. Pas vitit 1944, kreu Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë dhe fill pas përfundimit të studimeve emërohet në Institutin e Folklorit, ku shërbeu deri në fund të viteve 1980.
Krahas angazhimit në katedër, Haxhihasani pat shprehur interesin për t’u thelluar në larmishmërinë e folklorit, i cili përbënte sipas tij fondamentin kryesor në përcaktimin e identitetit të një kombi. Në këtë mënyrë, për plot 55 vjet ndërmori me dhjetëra ekspozita në mbarë vendin, grumbulloi njësi folklorike, si edhe regjistroi ngjarje me rëndësi historike.
Fryt i kësaj devotshmërie janë 14 vëllime folklorike të botuara brenda e jashtë vendit dhe 87 vëllime të tjera me materiale folklorike, etnografike dhe leksikore, të cilat ofrojnë një fushëpamje tërësore në të gjitha viset e Shqipërisë. Haxhihasani ka depozituar në Arkivin e Folklorit, një koleksion dorëshkrimesh që arrin vëllimin prej 20.588 faqesh. Në brendi të tij, koleksioni përmbledh 523 këngë legjendare, 3593 këngë historike, 797 proza me tema folklorike e etnografike, 5933 këngë lirike, 627 këngë nga folklori i ri, 25 përralla, 269 legjenda për Skënderbeun, 112 legjenda të tjera, 443 gjëza, 110 proverba, 214 njësi me përshkrime zakonesh etj.
Në shenjë vlerësimi për meritat e pamohueshme në drejtim të mbledhjes së krijimtarisë popullore, Haxhihasanit i janë akorduar medaljet “Çmimi i Republikës” i shkallës së I, Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit I dhe Urdhëri “Punonjës i Shquar i Shkencës”, i dhënë pas vdekjes. Bashkëlidhur, një letër e Akademisë së Shkencave drejtuar Këshillit drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, që e përgëzon për emisionin e transmetuar për bashkëpunëtorin e ndjerë, Qemal Haxhihasanin. / KultPlus.com