9 Maj, 2022 - 8:00 pm
Komisioni për Ekonominë dhe Financat, vijoi sot shqyrtimin në parim të projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet, Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
E pranishme në mbledhjen e komisionit ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se, “marrëveshja për Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit është transparente dhe në favor të vendit”.
Në përgjigje të interesit të deputetëve mbi këtë marrëveshje, ministrja bëri të ditur se, “ashtu siç e parashikon edhe ligji, 10% e të ardhurave vjetore që sigurohen nga siti, kalojnë në buxhetin e shtetit dhe ky fond mund të përdoret jo vetëm për nevojat e trashëgimisë kulturore, por edhe sipas prioriteteve të qeverisë”.
“Të gjitha të ardhurat e përfituara nga biletat dhe çdo shërbim tjetër shtesë që konsiderohet e ardhur dytësore, përdoret në interes të trashëgimisë kulturore. Ligji përcakton qartë se Ministria e Kulturës, ka të drejtën që këto fonde t’i derdhi në fondin e trashëgimisë kulturore”, theksoi Margariti, teksa nënvizoi faktin mbështetur në ligj se, “të ardhurat që sigurohen nga administrimi i pasurisë kulturore, administrohen nga subjekti që administron pasurinë me qëllim kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj pasurie”.
Margariti tha sa, në përputhje me marrëveshjen, të ardhurat mbahen në llogarinë e fondacionit dhe të gjitha të ardhurat e Butrintit i shërbejnë mirëmbajtjes së vazhdueshme dhe operimit të sitit.
Ministrja vuri në dukje se, siti i Butrintit është më i rëndësishmi në vendin tonë dhe që siguron të ardhurat më të larta, ndër sitet e tjera. Për këtë arsye vijoi ajo, Ministria e Kulturës me një kërkesë specifike, të mirë studiuar mbi planin e biznesit, alokon një kontribut vjetor në fondin e trashëgimisë kulturore, që në vitin e parë është 0.5% e të ardhurave totale, 1.5% dhe 2% në fund të 3 viteve të para të investimit.
Margariti bëri të ditur se, marrëveshja për Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit përfshin AADF-në, si një organizatë filantropike. AADF vjen si një zbatuese e projekteve në Shqipëri dhe jo për të përfituar.
Fondacioni është organizatë jofitimprurëse. AADF ka mbështetur në këto vite disa programe të ndërlidhura me zhvillimin e turizmit, arsimit, sipërmarrjes, ekoturizmit dhe agroturizmit.
Margariti tha se, “AADF është përzgjedhur në këtë rast pas disa projekteve të rëndësishme që ka zhvilluar në vendin tonë që janë, Pazari i vjetër në Krujë, Foto Marubi, Pazari i ri në Tiranë, Qafë Pazari në Gjirokastër, Qendra Historike Vlorë, Qendra digjitale në Ministrinë e Kulturës. Këto modele që kanë lidhur në diskutime, siç po bëjmë sot, kanë krijuar realitete të prekshme dhe shumë suksesshme tashmë në Shqipëri. AADF ka kontribuar me 50 milionë USD në fushën e kulturës”.
Duke u ndalur tek projekti për qendrën e vizitorëve, Margariti tha se projekti do të zgjidhet përmes një konkursi arkitekturor ndërkombëtar dhe shpenzimet do të mbulohen nga fondi i angazhuar i AADF. Kjo qendër do të përfshijë bileta elektronike, nyjet sanitare, turet rituale, suvenire dhe plot risi. /atsh/ KultPlus.com