24 Gusht, 2024 - 5:55 pm
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sot me rastin e 33 vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës ka organizuar një pritje për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”.
Në njoftimin e AGK-së, është bërë e ditur se në këtë ngjarje të pranishëm ishin ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, zëdhënësja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Lindsay Jagla, si dhe bashkëpunëtorët e AGK-së, që ndihmojnë në zbatimin e këtij programi.
AGK-ja nga prilli i vitit 2022, ka zbatuar programin që u mundëson gazetarëve ukrainas që kanë ikur nga lufta, të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë në Kosovë.
“Ata bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke raportuar në baza ditore nga Kosova, për Kosovën e Ukrainën, atdheun e tyre”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
” Gazetarët në Rezidencë – Kosovë, është program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në kuadër të programit mbështetës, Voices of Ukraine, zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe iniciativa Hannah Arendt e Qeverisë së Gjermanisë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com