12 Qershor, 2024 - 12:48 pm
Për një kohë të gjatë jo të gjithë shqiptarët kishin të drejtën për të pasur një dokument për të dalë jashtë shtetit. Në kohën e diktaturës pasaporta për disa qytetarë konsiderohej si luks.
Pas vdekjes së diktatorit dhe në grahmat e fundit të komunizmit, shqiptarët u dyndën në ambasada, për t’u larguar nga vendi që ishte izoluar për gati pesë dekada. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në këto kushte, në 12 qershor të vitit 1990, u miratua një dekret që lejonte pajisjen me pasaporta për udhëtim jashtë shtetit.
Qeveria shqiptare kërkonte që shqiptarët të dilnin nga ambasadat në mënyrë që të pajiseshin me pasaporta e më pas me vizën nga ambasadat e huaja. Në këtë mënyrë shqiptarët nuk do të konsideroheshin azilantë politikë dhe as do të prezantonin një imazh negativ për Shqipërinë, e cila aspironte anëtarësimin në disa organizata evropiane. Në atë kohë edhe evropianët kërkuan ndërmjetësimin e OKB-së, për t’i kërkuar qeverisë shqiptare respektimin e të drejtave të njeriut./atsh/KultPlus.com