4 Mars, 2023 - 8:15 pm
Antonio Lucio Vivaldi lindi më 4 mars 1678 në Venecia, Itali. Mësoi violinën nga babai i tij Xhovani Batista (Giovanni Battista) që punonte si berber. Pas një periudhe mësimi, at e bir bënë një turne rreth Venecias. Vivaldi kishte një problem shëndetësor, të cilin e quante ngushtim të kraharorit. Bëhej fjalë për astmë që me gjithë shqetësimet në frymëmarrje nuk e pengoi të mësonte të luante në violinë, të kompozonte dhe të merrte pjesë në aktivitete muzikore. Në moshën 14 vjeçare, nisi të studionte në një shkollë biblike. Në vitin 1703, përfundoi studimet dhe u emërua prift, me emrin fetar “Prifti i Kuq,” për shkak të ngjyrës së flokëve.
Më 1704, për shkak të shëndetit të tij, Vivaldi nuk mundi të drejtojë meshën e Ujit të Shenjtë dhe dy vjet më vonë, u bë profesor violine në Jetimoren për vajza, Pio Spitali i Mëshirës, në Venecia. Në jetimore ai kishte shumë përgjegjësi për detyra të ndryshme. Shume shpejt, pasi ishte bërë mësues, jetimët patën sukses edhe jashtë shtetit. Vivaldi ka shkruar për ta shumicën e simfonive, kantatave dhe muzikave kishtare. Në 1705 u publikua përmbledhja e parë me punët e tij, e titulluar “Raccolta”. Në 1707 u njoh me Ana Xhiraudin (Anna Giraud), të cilën e konsideronte si muza frymëzimi. Në vitin 1713, Vivaldi u bë përgjegjës për aktivitetet muzikore të institutit.
Vivaldi u emërua ‘maestro de’ concerti’ në vitin 1716. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi pjesën më të madhe të veprave muzikore, ku përfshihen disa opereta dhe koncerte (vepra muzikore për violinë). Gjatë viteve 1723 – 1729, Vivaldi kishte kompozuar 140 koncerte. Një fakt i rëndësishëm është rizbulimi i pjesës më të madhe të repertorit të tij, në fillim të shekullit XX, në Torino dhe Gjenovë. Muzika e Vivaldit është inovatore, pasi ka thyer traditën në mënyrën e të kompozuarit. Ai përmirësoi strukturën e koncerteve, ku kërkonte kontraste harmonike, duke krijuar melodi dhe skema të reja interpretimi. Vivaldi ishte në gjendje të kompozonte dhe muzikë jo-akademike, e cila pëlqehej nga pjesa më e madhe e publikut. Ky popullaritet e bëri të njohur edhe në shtete si Franca gjatë asaj periudhe e njohur si liberale ne shijet muzikore.
Vivaldi njihet si një prej artistëve që solli muzikën Baroke. BAHU, u ndikua jashtë mase prej muzikës së Vivaldit. Bahu transkriptoi një sërë koncertesh për piano dhe një sërë pjesësh muzikore për orkestër ku përfshihet ‘Koncerti i Famshëm për Katër Violina dhe Violinçelë’. Megjithatë, jo të gjithë muzikantët shfaqën të njëjtin mendim kundrejt Vivaldit.
Edhe pse kishte statusin fetar, Vivaldi mund të ketë pasur lidhje dashurie, njëra prej të cilave mendohet të ketë qenë me këngëtaren operistike veneciane Ana Xhiraud (Anna Giraud), më të cilën ai do të punonte materiale prej operës së vjetër veneciane, duke ia përshtati vokalit të këngëtares. Sidoqoftë, nuk gjenden fakte konkrete që mund të vërtetojë ndonjë lidhje romantike të Vivaldit. Jeta e tij, si dhe e shumë kompozitorëve të tjerë të asaj periudhe, ishte e zhytur në varfëri. Për të siguruar të ardhurat, për tu shpërngulur në Vjenë, Vivaldi u detyrua të shiste një pjesë të madhe të veprave të tij. Arsyet e largimit të tij prej Venecias nuk janë shumë të qarta, por mendohet se dëshironte të takonte Karlin e VI-të, i cili i adhuronte kompozimet e tij. Në vitin 1727, Vivaldi i kushtoi Karlit të VI-të, veprën muzikore ‘La Cetra’ e cila i siguroi Vivaldit postin “kompozitor mbretëror”.
Pak pas mbërritjes së Vivaldit në Vjenë, Karli vdiq. Kjo humbje tragjike e la kompozitorin pa mbrojtje mbretërore. Vivaldi u detyrua të shiste më shumë dorëshkrime të veprave të tij muzikore dhe në vitin 1741 ai u nda nga jeta. Vivaldi u varros në një varr të thjeshtë, vendndodhja e të cilit është në Kishën e Karlit në Vjenë. Pas vdekjes së tij veprat e Vivaldit mbetën në errësirë deri në fillim te shekullit XX. Shtëpia ku Vivaldi jetoi në Vjenë është shembur, sidoqoftë për Vivaldin janë vendosur plakatë përkujtimore në Miljen e Muzikës Vjeneze si dhe në Sheshin Ruzvelt (Roosevelt Square).
Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë. Vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723. Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinevë. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. / KultPlus.com