26 Prill, 2022 - 10:00 am
Më 26 prill 1986, Ukraina u trondit nga shpërthimi gjatë një testi të zhvilluar në reaktorin bërthamor në Çernobil. Nga retë radioaktive që u krijuan si pasojë e shpërthimit, u dëmtuan afërsisht 7 milionë persona.
Shpërthimi ka bërë që një re e madhe e materialit radioaktiv të kalojë kufijtë e Ukrainës, në Rusi, në Bjellorusi dhe në Evropën veriore.
Numri i njerëzve të vrarë nga katastrofa mbetet i diskutueshëm.
Mendohet se 30 persona kanë vdekur në momentin e shpërthimit dhe në operacionin e shpëtimit.
Por, një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar në vitin 2005, ka llogaritur se 4,000 veta mund të kenë vdekur nga sëmundje që lidhen me materialin radioaktiv, transmeton KultPlus.
Niveli i radioaktivitetit vazhdon të mbetet i lartë edhe sot në zonat përreth vendit të fatkeqësisë. Një organizatë bamirëse, “Urat në Bjellorusi”, tërheq vërejtjen se foshnjat në rajonin pranë kufirit me Ukrainën vazhdojnë të lindin me deformime të rënda, ndërsa një numër jashtëzakonisht i lartë i njerëzve kanë forma të rralla të kancerit.
Përvjetori i fatkeqësisë ka marrë vëmendje shtesë për shkak të përfundimit të afërt të një strukture të veshur me çelik, që do të forcojë reaktorin e goditur dhe do të parandalojë rrjedhjet e mëtejshme radioaktive për 100 vjetët e ardhshëm.
Projekti është financuar me donacione nga më shumë se 40 qeveri. Kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Groysman, ka thënë se mësimet e nxjerra nga Çernobili duhet të merren parasysh në gjithë botën.
Fatkeqësia në Çernobil dhe reagimi i qeverisë patën nxjerrë në pah të metat e sistemit sovjetik, me burokraci të papërgjegjshme dhe kulturë të sekreteve. Për shembull, urdhri për evakuim është bërë 36 orë pas aksidentit.
Ish-udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev, ka thënë se e konsideron Çernobilin si një nga gozhdat kryesore në arkivolin e Bashkimit Sovjetik, i cili është shpërbërë në vitin 1991.
Ngjarja në Çernobil mbetet katastrofa më e keqe bërthamore në histori. / KultPlus.com