35 vjet nga protesta e parë antikomuniste në Shkodër

14 Janar, 2025 - 11:02 am

Kanë kaluar 35 vjet nga 14 janari i vitit 1990 kur të rinjtë shkodranë të përkrahur nga mijëra qytetarë u ngritën në protestë kundër regjimit, duke shënuar të parën demonstratë antikomuniste në vend.

Mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit dhe protestuan në heshtje. Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit. Kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste. Ngjarja u komentua dhe u përcoll edhe në mediat e huaja si BBC World Service, RAI, VOA – Zëri i Amerikës. Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Iniciatorët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkangjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin më të mëdha.

Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” kujton se, qëndresa e parë antikomuniste u shoqërua me arrestime të disa personave të përfshirë në të. Dhjetë prej tyre të cilët u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi ishin:

1- Aldo Perrizi

2-Dedë Kasenci

3-Flamur Begu

4-Gjergj Livadhi

5-Klaudio Daka

6-Kolec Hublina

7-Nikolin Margjini

8-Nikolin Thana

9- Rin Monajka

10-Tonin Dema./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme