26 Dhjetor, 2020 - 6:55 pm
Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti ka përkujtuar sot 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit, Bujar Lako për të cilin ajo shprehet se ai mbetet një shkollë për aktorët e rinj.
“U mbushën 4-vjet pa aktorin e madh Bujar Lako. Ikja e tij ishte si një prerje në besë, por për artistë si ai, vdekja është vetëm një kalim”,- shprehet Margariti.
“Talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe zëri i tij na vijnë sot përmes figurash, që vetëm ai dinte t’i ndërtonte, që nga “Udha e shkronjave”, “Gjeneral gramafoni”, “Binarët”, “Ballë për ballë”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Lule të kuqe, lule të zeza”…Bujar Lako mbetet një shkollë për aktorët e rinj.”,- tha Margariti.
Në teatër Bujar Lako ka interpretuar rreth 70 role në shfaqje teatrore. Ai gjatë karrierës së tij u vlerësua edhe me shumë çmime. Disa herë ka fituar çmimin si aktori më i mirë në festivalet e filmave në Shqipëri, “Palmën e Artë” si aktori më i mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit në “Cairo”, një festival i kategorisë “A” për kinematografinë botërore.
Bujar Lako është nderuar gjithashtu edhe me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të parë, me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe në vitin 2013 iu dha edhe titulli “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës./atsh/KultPlus.com