4 vjetori i pranimit të FFK-së në FIFA, Dumoshi: Ditë historike për futbollin kosovar

13 Maj, 2020 - 1:14 pm



Data 13 maj 2016, është një ditë e shënuar në historinë e futbollit të Kosovës pasi rezulton me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA. Sot është 4 vjetori i pranimit të FFK-së në organizatën kryesore të futbollit të botë dhe si datë ka një domethënie e një rëndësi për sportin e futbollit në vendin tonë.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi përmes një letre ka uruar këtë datë të shënuar për futbollin e Kosovës e të cilën KultPlus ju sjell më poshtë:

Kjo datë ka sjellë epilogun e ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, duke i dhënë një shtysë zhvillimit dhe avancimit të futbollit në vendin tonë, i cili ka qenë një sport që është kultivuar dhe ka pasur traditë ndër vite në Kosovë.

Pranimi i FFK-së në FIFA ka kurorëzuar punën dhe sakrificën e gjeneratave të tëra që kanë dhënë për zhvillimin e futbollit në Republikën e Kosovës, sport i cili nuk ka kaluar aq lehtë nëpër periudha të ndryshme kohore, gjatë rrugëtimit të tij historik deri më sot.

Nuk harrohen dot fushat e improvizuara, arat e livadhet që njerëzit e vullnetit të mirë, i kanë liruar për terrene futbolli, për t’i dhënë shpresë shoqërisë dhe qytetarëve të Kosovës për të vazhduar më tutje, për të tejkaluar çdo barrierë e sfidë, sociale, ekonomike e politike, që pa të drejtë i ishin vënë mbi qafë popullit të Kosovës, sidomos në dekadën e fundit të shekullit 20.

Organizimi dhe menaxhimi i garave të futbollit nën robëri, ka qenë një frymëzim, vullnet dhe model edhe për sferat tjera jetësore, për mos t’u dorëzuar por për të luftuar për ta ndërtuar shtetin e Kosovës, për të cilin kanë sakrifikuar jetën e tyre edhe futbollistë të shumtë për Kosovën që ne gëzojmë sot.

Një mirënjohje të veçantë për tërë ata që kanë kontribuuar për sportin e futbollit në Republikën e Kosovës në çfarëdo forme, të cilët e kanë mbajtur gjallë këtë sport në vendin tonë dhe të cilët ua mundësuar gjeneratave të reja sot që të garojnë të barabartë me qytetarët e Evropës dhe të Botës.

Ishte legjenda Fadil Vokrri, që fati deshi, e vulosi me emrin e tij ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës si një kupë fitoreje për të dhe për vendin tonë duke e bërë Kosovën anëtaren e 205-të të FIFA-s.

Kosovën e presin sfida tjera në avancimin dhe ngritjen e mëtejme të cilësisë së futbollit, përfaqësimi dhe rezultatet në garat ndërkombëtare, puna me talentet e reja në këtë sport, përmirësimi i infrastrukturës ligjore e fizike të futbollit, dhe ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do t’i qëndrojmë gjithherë përkrah Federatës së Futbollit të Kosovës me të gjitha mundësitë që kemi.

Andaj, përmes këtij mesazhi dua t’i uroj drejtuesit e FFK-së për këtë datë historike për ta, të gjithë futbollistët i përgëzoj për këtë përvjetor të pranimit në FIFA, po ashtu edhe trajnerët, punëtorët sportiv dhe gjyqtarët e futbollit.

Urime dhe gëzime përjetë anëtarësimin në FIFA duke e bërë Kosovën pjesë të familjes së madhe të futbollit botëror! / KultPlus.com

Të ngjajshme