3 Tetor, 2024 - 6:06 pm
Rreth 40 artistë nga vende të ndryshme të botës do të marrin pjesë në edicionin e parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit, që do të çelet më 5 tetor-24 nëntor.
Kjo bienale do ta shndërrojë qytetin e Durrësit në skenën më të rëndësishme sa i përket artit pamor.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se “në bienale do të jenë 17 pavijone, ndërsa artistët pjesëmarrës do të interpretojnë temën, Inteligjenca Artificiale: e Ardhmja Hibride. Një qasje, e cila jo vetëm nxit imagjinatën e artistit krijues bashkëkohor, por evidenton edhe algoritmin e vetë ekzistencës së qenies njerëzore në teh midis racionales dhe irracionales, reales dhe surreales”.
Pavijonet kombëtare të shteteve pjesëmarrëse do të ekspozohen në hapësirat e disa prej institucioneve më ikonike të qytetit të Durrësit, si dhe në disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore si: Amfiteatri Romak, Kulla Veneciane, Forumi Bizantin dhe Hamami Mesjetar.
Kjo ekspozitë vjen si një mënyrë për të përqendruar vëmendjen krijuese të artistëve më të shquar të artit bashkëkohor, vendas dhe të huaj në qytetin bregdetar.