21 Tetor, 2020 - 1:15 pm
Një 40-vjeçar serb nga Mitrovica e Veriut (emër i njohur për redaksinë), detyrim të vetëm për marrjen e pagës mujore nga institucionet e Kosovës e ka paraqitjen në punë një herë në muaj në një ministri në Prishtinë. Vite më parë, ai i ishte bashkangjitur strukturës paralele serbe në veri, ‘Mbrojtja Civile’.
Pas vendimit për shpërbërje të kësaj strukture dhe pas marrëveshjes së Brukselit për integrimin e stafit të Mbrojtjes Civile, ai ishte punësuar në një nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Ka kontratë të përhershme, por nuk ka detyra ditore, e as vend pune.
“Kam nënshkruar një kontratë për të punuar, jo për të mos punuar, por agjencitë nuk janë të hapura, nuk ka vend për të punuar. Nuk është faji im. Mendoj që kjo situatë i përshtatet dikujt që të jemi vetëm në listën e pagave, pa shpenzime të tjera, zyra, kompjuterë, letër, etj”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, situatë të njëjtë kanë edhe shumë ish-kolegë të tij në ‘Mbrojtjen Civile’.
Disa nga institucionet qendrore në Prishtinë kanë dështuar në hapjen e agjencive dhe degëve të ministrive në pjesën veriore të vendit, ku do të akomodoheshin ish-pjesëtarët serbë të ‘Mbrojtjes Civile’. Kjo strukturë ishte shpërbërë më 2015/16, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ku Kosova kishte marrë përgjegjësinë për integrimin e tyre në institucionet e vendit.
Rreth 483 ish-pjesëtarë të kësaj strukture paralele janë punësuar nëpër institucione e agjenci shtetërore, por një pjesë e konsiderueshme e tyre, marrin paga, pa bërë asnjë ditë pune efektive.
Pas fillimit të procesit të integrimit, në Mitrovicën e Veriut ishte bërë një përpjekje për hapjen e zyrave të ministrive dhe agjencive, ku do të punonin ish-pjesëtarët e ‘Mbrojtjes Civile’, porse një hotel i dedikuar për këtë qëllim, ishte sulmuar menjëherë pas prezantimit si qendër e institucioneve të Republikës së Kosovës, më 28 dhjetor, 2016.
Bashkëbiseduesi i Radios Evropa e Lirë thotë se kjo gjë pati shkaktuar frikë në mesin e atyre që patën nënshkruar kontrata me Qeverinë e Kosovës, dhe se një frikë e tillë ende ekziston.
Ish-udhëheqësja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se këtë çështje e sheh si problem politik, pasi Serbia, pavarësisht se kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2015, e kishte penguar zbatimin e saj.
“Serbia duhet të mos e pengojë veprimin e institucioneve të Kosovës në veri. Kur ne i kemi punësuar si shërbyes civilë, ish-punonjësit e të ashtuquajturës ‘Mbrojtje Civile’, dhe kur unë kam shkuar të hapë zyrat e ministrive me veprim lokal, atë ditë Serbia i ka bombarduar dhe ka pamundësuar funksionimin”, tha Tahiri.
Ajo shtoi se zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk duhet të ndodhë, para se Serbia të shuajë të gjitha strukturat e saj paralele.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga personazhi i këtij rrëfimi, por edhe nga bashkëbisedues në veri të Kosovës, se edhe në komunat që punojnë me sistem të Kosovës, ekziston ky fenomen, ku punëtorët marrin paga, pa u paraqitur fare në punë.
Radio Evropa e Lirë, ka kërkuar përgjigje nga disa ministri, duke përfshirë Ministrinë e Brendshme, atë të Punës, por nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara, pos Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, që është organ i pavarur në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nehat Koqinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent i tha Radios Evropa e Lirë se 82 pjesëtarë të ish-Mbrojtjes Civile janë integruar dhe kanë detyra specifike në komunat veriore të Kosovës.
“Ata janë të sistemuar në njësitet profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan. Po ashtu edhe në Qendrën operative emergjente QOE 112 , e cila me lokacion është ne Komunën e Zveçanit”, sqaroi Koqinaj.
Sipas tij, i gjithë personeli është aktiv dhe se raportojnë në baza ditore.
Edhe Adriana Hoxhiq, që e administron zyrën e Qeverisë së Kosovës në veri, thotë se kanë hapur disa zyra, porse nuk ka specifikuar se cilat janë ato.
“Ata janë të obliguar të paraqiten çdo ditë në punë”, tha Hoxhiq për Radion Evropa e Lirë.
Si ishte krijuar ‘Mbrojtja Civile’?
Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ‘Mbrojtja Civile’ ishte themeluar më 2006, në kohën kur në Serbi, kryeministër ishte Vojisllav Koshtunica.
E konsideruar si struktura paralele më e rrezikshme për sigurinë nacionale të Kosovës, në fillim kishte rreth 500 anëtarë, por me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe pastaj më 2013 dhe 2014, numri ishte rritur në rreth 751.
Pjesëtarët e saj kishin të kaluar ose ishin trajnuar me metoda ushtarake.
Ata paguheshin nga Qeveria e Serbisë, dukë përfshirë këtu edhe rreth 200 pjesëtarë të tjerë, të cilët ishin në komunat e tjera me shumicë serbe në jug të lumit Ibër. ‘Mbrojtja Civile’ ishte përgjegjëse edhe për barrikadat në veri, të cilat u hoqën po ashtu me Marrëveshjen e Brukselit.
Për shuarjen e kësaj strukture paralele ishte diskutuar për më shumë se 2 vjet në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës në vitin 2015. Ata janë sistemuar me vende pune në 9 ministri, dhe 11 agjenci e institucione të tjera shtetërore. / KultPlus.com