4 Qershor, 2023 - 9:31 am
Me nisjen e sezonit turistik Saranda vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh të huaj.
Porti i Sarandës bëri të ditur për ATSH-në se këtë fundjavë portin e vizitoi kroçera ”Seabourn Quest” me 444 turistë të huaj”.
“Turistë të kombësive të ndryshme si, amerikane, britanike, gjermane dhe kanadezë zbritën për të vizituar qytetin e Sarandës, Himarës dhe Gjirokastrës si dhe sitet e ndryshme arkeologjike e turistike të këtyre qyteteve”, tha porti i Sarandës.
Ndërkohë, gjatë muajit maj Saranda u vizitua edhe nga kroçera “Silver Moon” , e cila kishte 546 pasagjerë në bord nga të cilët 229 shtetas amerikanë, 174 anglezë, 65 australianë dhe të tjerët nga vende të ndryshme, krocera “Monet” etj.
I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra dhe përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./atsh/KultPlus.com