24 Dhjetor, 2024 - 2:03 pm
Profesori Agim Vinca, përmes rrjeteve sociale ka shënuar një datë të rëndësishme të jetëshkrimit të tij.
“Nuk bën të kalojë ky vit pa e shënuar një datë të rëndësishme të jetëshkrimit tim: 50-vjetorin e mbrojtjes së temës së magjistaturës (1974-2024). Më kishte dalë mendsh, por ma kujtoi këto ditë një ish-student imi i gjeneratave të hershme, i cili e kishte ruajtur shkrimin e botuar si lajm në gazetën “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit, e kishte fotokopjuar dhe ma dhuroi në një takim letrar në prani të publikut”, ka shkruar Vinca.
Tutje, ai është shprehur se punimi i tij “Mendimi kritik i Mitrush Kutelit” është tema e parë e magjistraturës e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, me të cilën unë mora gradën shkencore “Magjistër i shkencave filologjike”.
“Do thënë se studimet pasuniversitare në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe u hapën për herë të parë në vitin akademik 1970/71, gjë që u bë e mundur vetëm pas themelimit të Universitetit”, ka shtuar tutje profesori.
Poashtu, ai ka falënderuar ish-studentin e tij Sherif Paci për kujdesin.
“Po atë ditë nga ish-drejtori i Institutit Albanologjik, dr. Hysen Matoshi, mora këtë mesazh: “Suksesi Juaj nuk ishte vetëm personal, por edhe i përgjithshëm, sepse ishte magjistratura e parë e mbrojtur në Fakultetin Filozofik”. Besoj se e vlen të shënohet ky “jubile”, qoftë edhe në këtë mënyrë”, është shprehur në fund ai./KultPlus.com