28 Shkurt, 2023 - 1:48 pm
Më shumë se 500 vjet përpara se të themelohej Universiteti i Oksfordit, në Universitetin Nalanda të Indisë studionin rreth 10.000 studentë. Në botën e lashtë, konsiderohej një prej qendrave më të mëdha të të mësuarit, por sot gjithçka që ka mbetur janë rrënojat me tulla të kuqe.
E themeluar në vitin 427 të erës sonë, Nalanda konsiderohet një nga universitetet e para në botë, shtëpia e nëntë milionë librave dhe mijëra studentëve nga e gjithë Azia Lindore dhe Qendrore. Ata ndiqnin degët e mjekësisë, logjikës, matematikës dhe mbi të gjitha parimet budiste nga disa prej studiuesve më të nderuar të epokës.
“Burimi i gjithë njohurive budiste që kemi, ka ardhur nga Nalanda”, është shprehur dikur Dalai Lama për këtë universitet.
Kurikulat akademike të këtij universiteti u bënë ndikuese dhe përcaktuese për shumëçka, jo vetëm në Indi, por edhe më gjerë. Sistemi i lashtë mjekësor indian, i cili bazohet në metodat e shërimit nëpërmjet natyrës, mësohej gjerësisht në Nalanda dhe më pas u shpërnda në pjesë të tjera të Indisë. Institucione të tjera budiste u frymëzuan nga dizajni i oborreve të hapura të kampusit, nga sallat e lutjeve dhe dhomat e leksioneve. Gjithashtu, një ilaç i prodhuar në këtë universitet u përhap në pak kohë në Tajlandë, ndërsa arti i përpunimit të metalit nisi të zbatohej në Tibet dhe gadishullin Malajan.
Megjithatë, trashëgimitë më të rëndësishme të Nalandës janë arritjet e saj në matematikë dhe astronomi. Aryabhata, i konsideruar si babai i matematikës indiane, mendohet se ka drejtuar universitetin në shekullin e 6-të të erës sonë.
“Ne besojmë se Aryabhata ishte i pari që caktoi zeron si një shifër, një koncept revolucionar, i cili thjeshtoi llogaritjet matematikore dhe ndihmoi në evoluimin e rrugëve më komplekse si algjebra dhe llogaritja. Pa zero, ne nuk do të kishim kompjuterë. Ai ishte gjithashtu i pari që ia atribuoi shkëlqimin e hënës dritës së reflektuar të diellit.” Anuradha Mitra, profesoreshë e matematikës
Universiteti dërgonte rregullisht disa nga studiuesit dhe profesorët e tij më të mirë në vende si Kina, Korea, Japonia, Indonezia dhe Sri Lanka për të përhapur mësimet dhe filozofinë budiste. Ky program i lashtë i shkëmbimit kulturor ndihmoi në përhapjen dhe formësimin e budizmit në të gjithë Azinë.
Mbetjet arkeologjike të Nalandës janë tashmë një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në vitet 1190, universiteti u shkatërrua nga një trupë plaçkitëse pushtuesish të udhëhequr nga gjenerali turko-afgan Bakhtiyar Khilji. Kampusi ishte aq i madh sa zjarri i ndezur nga sulmuesit thuhet se u dogj për tre muaj me radhë. Megjithatë, ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Nalandës, pasi ajo u sulmua nga hunët në shekullin e 5-të, dhe përsëri pësoi dëme të rënda nga një pushtim i mbretit të Bengalit, Gauda, në shekullin e 8-të.
Gjatë 6 shekujve të ardhshëm, Nalanda gradualisht do të zhytej në harresë dhe do të kthehej në rrënoja, përpara se të zbulohej nga topografi skocez Francis Buchanan-Hamilton në vitin 1812, dhe më vonë u identifikua si Universiteti i lashtë Nalanda nga Sir Alexander Cunningham në vitin 1861. Sot, zona e gërmuar prej 23 hektarësh ka të ngjarë të jetë vetëm një pjesë e kampusit origjinal, por gjithsesi kalimi nëpër rrënojat e manastireve dhe tempujve risjell ndjesinë se si duhet të ketë qenë të mësosh në këtë vend fantastik. Për këtë arsye, grupe murgjish, veshur me rroba të kuqe e vizitojnë këtë vend, herë pas here, kryejnë homazhe dhe meditojnë. / a2cnn / KultPlus.com