20 Korrik, 2020 - 9:19 am
Plot 51 vjet më parë, më 20 Korrik 1969, kozmonautët amerikanë Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin, zbritën me anijen kozmike “Apollo-11” në Hënë. Ishte hera e parë që njeriu shkelte mbi një trup tjetër qiellor, veç Tokës.
Zbritja në Hënë e ekuipazhit të “Apollo-11” ishte kulmi një ëndrre të shumëpritur. Kjo arritje madhështore shënoi edhe përfundimin e një faze të programit amerikan të hapësirës dhe fillimin e një tjetre. Suksesi i misionit “Apollo-11” hapi perspektiva të reja për misionet e ardhshme të NASA-s.
Misioni zgjeroi aftësitë njerëzore dhe ofroi një pamje të Tokës nga një perspektivë e re. Amerika u krenua me këtë arritje, pasi ajo kishte mbetur pas Bashkimit Sovjetik në ditët e para të garës së hapësirës. Jim Burke ka qenë inxhinier i NASA-s dhe ishte pjesë e garave fillestare, shkruan Javaneës.al.
“Ishim në një garë paqësore por shumë të fortë me një kundërshtar të papërkulshëm i cili ishte i etur për të arritur para nesh në çdo destinacion të ri të sistemit diellor . Ishte një garë e shkëlqyer dhe tejet entuziazmuese në të dy anët.”- kujton ai.
Për nder të kësaj date të jashtëzakonshme për historinë e njerëzimit, grupi i njohur “Duran Duran” do të mbajë sot një koncert në Garden Rocket në “Kennedy Space”. Biletat për të ndjekur bandën e njohur muzikore kushtojnë 300 Dollarë dhe fitimet nga koncerti do të shkojnë për fondacionin e astronautit të “Apollo-11”, “Buzz Aldrin’s Family Foundation”. Ato do të përdoren për të ndihmuar në shkencë, teknologji, arte, matematike dhe inxhinieri.
Organizatorët kanë menduar një gjë të veçantë sepse shfaqja do ketë në sfond transmetimin gjatë gjithë kohës të anijes së njohur dhe raketave të tjera të cilat ishin pjesë e misionit.
Kushdo që do ta ndjekë spektaklin ka mundësi që për vetëm 52 Dollarë të ketë mundësi të shohin pamjet historike të uljes në Hënë, dhe mund të bëjnë foto dhe të përfitojnë edhe dhurata.
Ajo që ka mbetur nga ky udhëtim është shprehja e famshme e komandantit të Apollo-11. “Një hap i vogël për njeriun, po një kapërcim gjigand për njerëzimin”…- do të thoshte njeriu i parë në Hënë, Neal Armstrong. “Misionet Apollo hapën perspektiva të reja. Apollo ishte një demonstrim se njerëzimi nuk është i lidhur përgjithmonë tek ky planet”, – tha ai. Edhe vendet e tjera janë bashkuar në eksplorimin e hapësirës në vitet e fundit. Astronauti i parë kinez fluturoi në orbitën e tokës në 2003. Ndërsa një sondë indiane u ul në Hene nëntorin e kaluar.
Historia e pushtimit të Hënës
Sfida për Hënën mbaroi në fillim të viteve ’70. Amerika u përqendrua në fluturimet hapësinore me njerëz me pesë misione në Hënë, që përfunduan në 1972.
Si SHBA, ashtu edhe Bashkimi Sovjetik vazhduan gjithashtu programet hapësinore pa njeri. Ata dërguan sonda në pikat më të largëta të sistemit diellor dhe më pas zbritën pajisje robotike dhe eksploruese në planetin Mars. Teleskopi Hubble në orbitën përreth Tokës ka dërguar foto spektakolare të sistemeve yjesh tejet të largëta
Në 1980, Shtetet e Bashkuara i kufizuan fluturimet në hapësirë pas ekuipazh vetëm në orbitën e tokës, fillimisht me programin e anijeve për vajtje ardhje në hapësirë, dhe duke filluar në 1998, me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Në këtë projekt përfshihen Shtetet e Bashkuara, Rusia, Japonia, Kanadaja, Brazili dhe 11 vende evropiane.
Dy aksidente tragjike ndryshuan programin amerikan të hapësirës. Anija “Challenger” u shkatërrua pas ngritjes në 1986, duke vrarë të 7 astronautët dhe “Columbia” u shkatërrua gjatë kthimit në Tokë në 2003, me 7 astronautë në bord.
Në Shoqërinë Planetare në Pasadena, Kalifornia, drejtori ekzekutiv Louis Friedman thotë se aksidentet çuan në kontrolle dhe pavarësisht aksidenteve, një angazhim të eksplorimeve njerëzore përtej orbitës së Tokës.
“Njerëzit janë eksploratorë. Ndaj idetë pas kësaj, kostoja dhe rreziqet kërkojnë një destinacion, sepse duhet të eksplorojmë botë të reja.”- thotë ai.
Në vitin 2004 presidenti Xhorxh Bush njoftoi një synim të ri për rikthimin në Hënë deri në 2020. Dhe me Hënën si bazë, dërgimin e njeriut në Mars pas viteve 2030.
Në dhjetor të vitit 1972, astronautët amerikanë depozituan në Hënë një pllakë metalike me këtë mbishkrim: “Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës…” . Kështu, eksplorimet në Hënë që kishin filluar me anijen Apollo 11 më 1969, përfunduan me anijen Apollo 17 në vitin 1972. Vera e vitit 1969 ishte një kohë e veçantë në histori. Kjo ndodhi kur njerëz nga Toka – astronautë amerikanë – shkuan me anijen Apollo 11 në Hënë, zbritën dhe u kthyen në Tokë pa problem. Bota i nderoi këta astronautë si heronj.
Neil Armstrong dhe Edvin Aldrin ishin të parët që zbritën në Hënë. Po ata nuk ishin të fundit. Agjencia amerikane për fluturime në Hapësirë e njohur me akronimin NASA, ndërmori edhe 6 misione të tjera në Hënë me anije Apollo.
Apollo-12 u nis për në Hënë vetëm 4 muaj pas kthimit të Apollo 11. Një natë më parë kishte rënë shi. Retë ishin shpërndarë, por shira të tjerë parashikoheshin. Zyrtarët e NASA-s arritën në përfundimin se moti ishte i përshtatshëm dhe kështu Apollo 12 u nis nga Toka për në Hënë.
36 sekonda pas nisjes, një rrufe goditi raketën Saturn 5 që shtynte anijen. Anija Apollo humbi rrymën elektrike në sistemin e kontrollit. Aparaturat e ndërprenë funksionimin. Astronautët punuan me gjakftohtësi dhe e kthyen rrymën. Por një tjetër rrufe ra dhe rryma elektrike u ndërpre përsëri.
Rrufeja e dytë nuk e preku raketën Saturn 5. Kështu kjo vazhdoi t’a shtynte anijen në udhën e saj. Astronautët shumë shpejt ndreqën defektin. Gjendja u normalizua dhe Apollo 12 mundi të vazhdonte fluturimin drejt Hënës.
Tre astronautët në bordin e Apollos ishin pilotë të marinës amerikane. Çarls Konrad ishte komandant i fluturimit. Richard Gordon, pilot i modulit komandues dhe Alan Bean ishte pilot i sondës për zbritjen në Hënë.
Pas katër ditësh, Apollo 12 arriti afër vendit të uljes. Zona quhej Stuhitë e Oqeanit, rreth 2 mijë kilometra në perëndim të zonës ku ishte ulur Apollo 11.
Richard Gordon qëndroi në komandë të modulit duke i ardhur Hënës përreth. Çarls Konrad dhe Alan Bean fluturuan me sondë dhe e ulën në sipërfaqe të Hënës. Ata iu afruan sondës Surveyor 3, një anije pa pilot që kishte mbërritur 2 vjet më parë dhe kishte dërguar në Tokë rreth 6 mijë fotografi të Hënës, para se të ndalte së funksionuari.
Konrad zbriti në sipërfaqen e Hënës. “Sipërfaqja është e butë, shpresoj të mos fundosem në të” tha ai dhe zëri regjistrohej në qendrën e kontrollit të fluturimit në Tokë.
Alan Bean ndoqi Konradin në sipërfaqen e Hënës dhe të dy mblodhën rreth 35 kilogram gurë. Ata lane aty 5 instrumente shkencorë që do të dërgonin informata në Tokë. Para se të iknin, Bean dhe Konrad vizituan edhe sondën Surveyor që kishte kohë që nuk funksiononte. Këta dy astronautë qëndruan në Hënë rreth 30 orë. Pastaj u kthyen në anijen Apollo e cila i priste në orbitë dhe prej andej u nisën për në Tokë. Kapsula me 3 astronautët ra në oqeanin Atlantik, vetëm 6 kilometra nga vendi ku po i priste anija e flotës detare. / KultPlus.com